Ballina Artikuj A do lejohet “Pax Israeliana” në Lindjen e Mesme?

A do lejohet “Pax Israeliana” në Lindjen e Mesme?

Natalia Sancha

Turqia, fuqia e vetme që mund të frenojë oreksin sionist në rajon

Nga Natalia Sancha, El Pais

Rendi i ri në Lindjen e Mesme po tentohet të vizatohet sot nga Izraeli, duke sfiduar trashëgiminë e marrëveshjes Sykes-Picot të vitit 1916.

Nëse atëherë ishin Britania dhe Franca që ndanë provincat osmane me parimin “përça dhe sundo”, sot dyshja Trump-Netanyahu po përdor raketat dhe dronët për të imponuar një paradigmë të re: Pax Israeliana.

Ky ndryshim shënon valën e tretë të transformimit rajonal. E para erdhi me krijimin e Izraelit në vitin 1948; e dyta me tronditjen e kufijve nga ISIS në vitin 2014; ndërsa e treta po ndodh tani përmes ofensivës ushtarake izraelite.

Izraeli ka goditur shtatë vende fqinje dhe ka pushtuar territore të reja, duke u shndërruar në fuqinë e vetme hegjemonike rajonale pas tërheqjes së ndikimit tradicional perëndimor.

Ardhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe doktrina e tij MAGA kanë krijuar një “mundësi unike historike” për skifterët izraelitë. Ky vizion nuk synon vetëm supremaci ushtarake, por një riformësim rrënjësor të aleancave.

Përmes Marrëveshjeve të Abrahamit, SHBA-të e kanë zhvendosur fokusin nga njohja e shtetit palestinez drejt pozicionimit të Izraelit si qendër e rajonit.

Sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, në vend që t’i prishte këto plane, i ka vënë monarkitë sunite (si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe) në një pozicion mbrojtës.

Rivaliteti historik me Iranin shiit i ka shtyrë këto vende drejt një aleance taktike me Netanyahun.

Në këtë ekuacion, Turqia mbetet konkurrenti i vetëm i mbetur jo-arab, ndërsa teokracitë si Riadi dhe Teherani po e humbin peshën e tyre ndaj shtetit hebre. Paradigma e re është brutale: rreshtohu me Izraelin ose eliminohu!

Edhe vende si Katari apo Siria janë bombarduar, duke treguar se diplomacia po ia lë vendin forcës. Izraeli po përdor strategjinë e vjetër koloniale të ndarjes së grupeve etnike dhe fetare për të sunduar.

Në këtë dinamikë, Evropa është kthyer në një spektatore të parëndësishme, duke dështuar të mbrojë ligjin ndërkombëtar.

Ndërkohë, narrativa për ndryshimin e regjimit në Iran perceptohet si një déjà vu e rrezikshme. Megjithëse kundërshtojnë ajatollahët, iranianët nuk kanë harruar operacionet e shërbimeve sekrete perëndimore të vitit 1953 që pezulluan demokracinë e tyre për hir të naftës.

Vizioni mesianik i Trump dhe Netanyahut po tenton të zhbëjë me forcë pasojat e një shekulli historie.

Megjithatë, asgjë nuk garanton se ky rend i ri, i vendosur përmes dhunës dhe “ligjit të më të fortit”, do të ketë një rezultat më të qëndrueshëm se ai i para një shekulli.

Historia sugjeron se imponimet e jashtme mbartin brenda vetes farat e konflikteve të ardhshme. /tesheshi