
E ka bërë edhe dy herë më parë, por këtë herë sfida duket më e madhe
Kryeministri socialist spanjoll Pedro Sánchez ka shpallur për herë të tretë në më shumë se tetë vjet në pushtet zgjedhje të parakohshme. Spanjollët do të votojnë më 29 nëntor, pasi të premten parlamenti rrëzoi dy dekretet e qeverisë për krizën e strehimit.
Sánchez shpreson ta kthejë këtë humbje në një avantazh elektoral, ashtu siç ka bërë edhe në dy rastet e mëparshme, në vitet 2019 dhe 2023. Por këtë herë basti duket më i rrezikshëm.
Me zgjedhjet e parakohshme, Sánchez synon të përcaktojë ritmin dhe temat e fushatës. Ai kërkon një garë të shkurtër, të përqendruar te ekonomia dhe veçanërisht te strehimi, një çështje ku politikat e së majtës spanjolle gëzojnë mbështetje të konsiderueshme.
Sipas një sondazhi të kryer për “El País”, 68 për qind e qytetarëve do ta vlerësonin negativisht rrëzimin e dy dekreteve të qeverisë për strehimin.
Sánchez ka nevojë urgjente për një temë që mund ta ndryshojë debatin elektoral. Prej muajsh, sondazhet e rendisin Partinë Popullore (PP) të qendrës së djathtë në vend të parë, ndërsa Vox është në rritje.
Situata është ndërlikuar edhe nga skandalet e korrupsionit që kanë prekur persona të afërt me kryeministrin, ndërsa kriza e emigracionit në Ceuta ka shtuar kritikat ndaj qeverisë për mënyrën dhe kohën e reagimit.
Në konferencën ku njoftoi zgjedhjet, Sánchez e paraqiti garën si një përballje mes dy kampeve. Në njërën anë janë socialistët, Sumar dhe partitë e majta apo autonomiste që e kanë mbështetur qeverinë; në tjetrën, Partia Popullore dhe Vox.
Kryeministri falënderoi aleatët e tij për kompromiset që kanë bërë dhe e cilësoi opozitën e djathtë si më të keqen që ka njohur demokracia spanjolle.
Por një problem i veçantë për Sánchez është Junts, partia katalanase e qendrës së djathtë e ish-presidentit Carles Puigdemont. Junts ishte vendimtar për formimin e qeverisë së Sánchezit në vitin 2023, por marrëdhëniet mes tyre janë përkeqësuar ndjeshëm.
Partia katalanase është zhvendosur më djathtas në çështjet ekonomike dhe të emigracionit dhe vota e saj ishte vendimtare për rrëzimin e dy masave për strehimin.
Sánchez po përpiqet ta përdorë këtë për të ndryshuar mënyrën se si paraqitet koalicioni i tij. Ai argumenton se Junts votoi së bashku me PP-në dhe Vox-in kundër masave që synonin “njerëzit e zakonshëm”, duke e paraqitur përplasjen si një konflikt mes shumicës së qytetarëve dhe elitave ekonomike e sociale.
Strategjia nuk është pa precedentë. Në shkurt 2019, Sánchez shpalli zgjedhje në një moment kur PSOE po rritej në sondazhe. Partia kaloi nga rreth 24 në 27 për qind dhe në zgjedhjet e prillit mori mbi 28 për qind të votave.
Në vitin 2023, situata ishte shumë më e vështirë. PSOE ndodhej rreth 8 pikë pas Partisë Popullore, por gjatë fushatës e reduktoi ndjeshëm diferencën, duke arritur rreth 32 për qind dhe duke penguar një shumicë të përbashkët të së djathtës dhe Vox-it.
Por këtë herë, hendeku është më i madh. Në momentin kur u shpallën zgjedhjet e vitit 2023, diferenca mes bllokut të djathtë dhe atij të majtë ishte rreth 8 pikë.
Në fund të shtatorit, kishte arritur në 18 pikë dhe debati i fundit për strehimin nuk e ka ndryshuar ndjeshëm këtë raport.
Një tjetër problem është fragmentimi në të majtë të PSOE-së. Podemos dhe Sumar, që në zgjedhjet e mëparshme ndihmuan Sánchez-in të mobilizonte votuesit progresistë të pakënaqur me socialistët, tashmë janë të ndarë dhe pa një lider të përbashkët të qartë.
Ata kanë shumë pak kohë për të arritur një marrëveshje. Kjo ka rëndësi edhe për shkak të sistemit zgjedhor spanjoll, ku mandatet ndahen sipas provincave.
Garimi bashkë mund të rrisë dukshmërinë dhe përfaqësimin parlamentar, ndërsa ndarja e votës mes partive të afërta ideologjikisht mund të ketë kosto në numrin e mandateve.
Sánchez ka arritur dy herë ta kthejë një situatë të pafavorshme në një rezultat që i ka lejuar të qëndrojë në pushtet. Tani po provon të përsërisë të njëjtën strategji, por përballë një avantazhi më të madh të së djathtës dhe një të majte më të përçarë.
Pyetja është nëse edhe këtë herë fushata do të jetë mjaftueshëm për ta përmbysur prirjen. /tesheshi

