Kush është i përzgjedhuri si rivali kryesor të Gianni Infantinos në zgjedhjet e vitit 2027
Philippe Diallo, presidenti aktual i Federatës Franceze të Futbollit (FFF), do të jetë sfiduesi kryesor i Gianni Infantinos në garën për drejtimin e FIFA-s.
Zgjedhjet do të zhvillohen më 18 mars 2027, gjatë Kongresit të FIFA-s në Rabat të Marokut. Kandidatura e Diallos u bë publike nga UEFA, e cila ka vendosur ta mbështesë atë.
UEFA, veçanërisht presidenti i saj Aleksander Ceferin, prej kohësh ndodhet në konflikt me Infantinon. Përplasjet u thelluan në korrik, kur u bë publik një projekt për t’u shitur një pjesë e të drejtave të Kupës së Botës investitorëve privatë të afërt me Donald Trumpin.
Në atë moment u kuptua se UEFA do të kërkonte një kandidat alternativ për të penguar rizgjedhjen e Infantinos. Megjithatë, pak kush priste që zgjedhja të binte pikërisht mbi Diallon.
Ai është 63 vjeç dhe me origjinë senegaleze. Babai i tij, Souleymane Diallo, kishte lindur në Dakar, në kohën kur Senegali ishte koloni franceze, dhe kishte marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Romës më 1960 si boksier.
Philippe zgjodhi futbollin, duke luajtur në ekipet e moshave të Nantesit. Nga viti 1992 deri më 2021 drejtoi Unionin e Klubeve Profesioniste të Futbollit në Francë, përpara se të kalonte në federatën kombëtare.
Diallo u emërua në krye të Federatës Franceze në vitin 2023, pas dorëheqjes së Noël Le Graët. Gjatë tre viteve në këtë detyrë, ai është përballur me kritika të shumta, kryesisht për mungesën e reformave në kampionatin francez, i cili prej kohësh vuan nga probleme ekonomike dhe konkurruese.
Kjo, pavarësisht se Paris Saint-Germain, klubi më i madh francez, ka fituar dy edicionet e fundit të Ligës së Kampionëve. Edhe mënyra se si ai menaxhoi pasardhësin e Didier Deschamps në drejtimin e kombëtares franceze shkaktoi pakënaqësi.
Deschamps kishte njoftuar se do të largohej pas Kupës së Botës 2026. Në fillim të vitit 2025, Diallo kishte arritur një marrëveshje me Zinedine Zidane për ta pasuar, por më pas mbajti një qëndrim të paqartë, duke nxitur spekulime dhe pasiguri.
Sipas mediave sportive franceze, kjo situatë ndikoi negativisht edhe në atmosferën e kombëtares gjatë Botërorit, ku Franca përfundoi në vendin e katërt.
Për këtë arsye, kandidatura e Diallos është pritur me pak entuziazëm dhe shumë skepticizëm. Ai nuk ka profilin e një figure të fuqishme ndërkombëtare, siç do të ishte, për shembull, ish-trajneri i Arsenalit, Arsène Wenger, të cilin UEFA u përpoq pa sukses ta bindte të kandidonte.
Edhe vetë Le Graët është shprehur i habitur nga zgjedhja, ndërsa ish-futbollisti zviceran Ramón Vega, që synon gjithashtu drejtimin e FIFA-s, e cilësoi atë si një turp për futbollin europian.
Vega vuri në dukje se Diallo dikur konsiderohej i afërt me Infantinon dhe madje i kishte premtuar votën për rizgjedhjen e tij.
Distancimi erdhi pas Botërorit, për shkak të çështjes së Folarin Balogun dhe projektit të FIFA-s për shitjen e një pjese të të drejtave të kompeticionit.
Megjithatë, Diallo u distancua publikisht nga Infantino vetëm në fillim të shtatorit. Në pesë muajt e fundit, Ceferin kishte shqyrtuar kandidatura të tjera, përfshirë presidentin e CONCACAF-it, Victor Montaglianin, ish-futbollistin portugez Luís Figo dhe Arsène Wengerin.
Ky i fundit ishte emri më i përfolur, por më 14 nëntor njoftoi se nuk do të kandidonte. Me afatin përfundimtar të regjistrimit që skadon sot, UEFA u detyrua të gjente shpejt një alternativë.
Në zgjedhje marrin pjesë 211 federatat anëtare të FIFA-s dhe secila ka një votë, pavarësisht madhësisë apo fuqisë së saj. Infantino vazhdon të gëzojë mbështetje të gjerë, sidomos në Afrikë dhe Azi, falë fondeve dhe projekteve të financuara nga FIFA, si dhe zgjerimit të Kupës së Botës.
Për momentin, Diallo mbetet sfiduesi më serioz i tij. Ramón Vega po përpiqet gjithashtu të sigurojë mbështetjen e të paktën pesë federatave kombëtare, ndërsa kandidaturë pritet të paraqesë edhe japonezi Kozo Tashima, i cili duket se do të mbështetet kryesisht nga disa federata aziatike. /tesheshi





