A do të ndikojë në procesin integrues dhe liberalizimin të vizave presidenca e re e BE-së?

Gjatë ditës së djeshme, Finlanda ka marrë Presidencën e Bashkimit Evropian.
Për gjashtë muajt e ardhshme, Finlanda do ta ketë presidencën në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian.

Mirëpo, se a do të ndikojë kjo në procesin integrues të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, e në veçanti të Kosovës, sipas njohësve të çështjeve evropiane, kjo nuk varet direkt nga Finlanda.

Artan Murati nga KDI, ka thënë për lajmi.net se i gjithë procesi integrues i Ballkanit Perëndimor e në veçanti i Kosovës për në Bashkimin Evropian nuk është se varet direkt nga presidenca finlandeze.

Sipas tij, Finlanda mund të ketë rol pozitiv për shtyrjen e agjendës së zgjerimit të BE-së mirëpo, sa i përket çështjes së Kosovës, Murati ka thënë se duhet përpjekje më e madhe e të gjitha institucioneve të BE-së.“Shteti i cili e ka presidencën në Këshillin e Ministrave në njëfarë mënyre është përcaktues i agjendës mirëpo, nuk është që varen të gjitha proceset integruese prej shtetit i cili e ka Presidencën e BE-së.

Do me thënë, Finlanda mundet të ketë rol pozitiv në atë që me e shty përpara agjendën e zgjerimit në përgjithësi mirëpo, konkretisht për Kosovën duhet një përpjekje më e madhe e të gjithë institucioneve të BE-së dhe shteteve të BE-së që me e definu më mirë krejt procesin e Ballkanit Perëndimor dhe duke e pasur parasysh që për momentin BE-ja është duke pasur një situatë të keqe përbrenda edhe po vërehet qartë që fokusi nuk është të zgjerimi i BE-së, por te konsolidimi mes shteteve anëtare, mes institucioneve aktuale”, ka deklaruar Murati për lajmi.net.

Ai thotë se prej presidencës së re të BE-së edhe mund të pritet një rol konstruktiv karshi Kosovës.“Kështu që prej presidencës finlandeze mundet me u prit që me e luajtur një rol konstruktiv karshi Kosovës e karshi Ballkanit Perëndimor sepse Rumania ka tentua me e bërë një gjë të tillë, mirëpo nuk është se ka mundur të bëj shumë edhe ta ndërroj qasjen për zgjerim për faktin se ka qenë një periudhë ku BE-ja ka qenë duke u përgatitur për zgjedhje e kështu me radhë”, u shpreh ai.Murati po ashtu ka thënë se tani në kohën kur Finlanda e ka marrë presidencën e BE-së, është koha e konsolidimit të BE-së dhe se deri në nëntor është afati i fundit për konsolidimin e këtyre institucioneve.Dhe në këtë mënyrë, sipas Muratitit edhe mund të vërehet serioziteti dhe dinamika e BE-së për zgjerim e në veçanti për Ballkanin Perëndimor.

“Tani në kohën e Finlandës është koha e konsolidimit të BE-së dhe deri në nëntor është afati kur ato duhet të jenë të konsoliduar. Edhe rrjedhimisht kjo ka me determinua shumë faktin se sa shumë edhe se sa shpejt ka me u formua komisioni i ri edhe ai e përcakton shumë dinamikën se sa seriozisht dhe sa shpejt do të trajtohet edhe Ballkani Perëndimor. Kështu që na mbetet të shihet se çfarë qasje do ta ketë Finlanda mirëpo, nuk duhet të ketë qasje jorealiste sepse në fund të fundit nuk është proces që varet krejt prej presidencës finlandeze”, theksoi Murati.

Në anën tjetër, Taulant Kryeziu, nga instituti “EPIK”, i ka thënë lajmi.net, se nuk duhet befasuar nëse çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është në programin e Presidencës finlandeze.

“Qeveria e Finlandës sapo ka publikuar Programin e saj për Presidencën e BE-së – “Evropa e qëndrueshme, e ardhmja e qëndrueshme”. Programi përmban katër prioritete të Presidencës së Finlandës për gjashtë muajt e mbetur të vitit 2019. Programi nuk merret me politikat specifike, prandaj nuk duhet befasuar që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është pjesë e programit”, ka deklaruar Kryeziu për lajmi.net.

Sipas tij, zgjerimi i programit të Presidencës finlandeze, parasheh investim strategjik në paqe, stabilitet e zhvillim të Evropës.

Kryeziu ka bërë të ditur se në këtë program të Presidencës finlandeze thuhet se “Zgjerimi i BE-së është investimi strategjik në paqe, stabilitet dhe zhvillim të Evropës. Është e rëndësisë esenciale që partnerët të cilët dëshirojnë të anëtarësohen në BE të përqafojnë vlerat Evropiane. Finlanda do të vazhdojë angazhimin drejt perspektives kredibile të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, rajon i cili ka vlerë strategjike për BE-në. Turqia si vend kandidat mbetet partner kyç për BE-në në shumë fusha”.