Ballina Artikuj A duhet që Shqipëria ta bëjë këtë?

A duhet që Shqipëria ta bëjë këtë?

Dr. Arben Ramkaj

Delikatesa e një vendimmarrjeje me peshë në të ardhmen

Nga Dr. Arben Ramkaj

Është parë shpesh në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare se në konfliktet e mëdha mes fuqive të mëdha vendet e vogla janë ato që përballen më shumë me pasojat. Lufta aktuale mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit është një shembull i qartë i kësaj dinamike, pasi përtej përplasjes direkte ajo përfshin edhe interesa të gjera gjeopolitike dhe rivalitete të fuqive të mëdha.

Në këtë konflikt po shohim se disa vende të Gjirit, si Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Kuvajti, të cilat janë aleatë strategjikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë ndër vendet që përballen më drejtpërdrejt me rreziqet dhe pasojat e tensioneve rajonale.

Madje disa analiza mbi trajektoren e raketave dhe dronëve në këtë konflikt tregojnë se një pjesë e madhe e tyre nuk kanë rënë në territorin e Izraelit, por në vende të tjera të rajonit. Sipas këtyre analizave, rreth 44 për qind e raketave dhe dronëve kanë rënë në Emiratet e Bashkuara Arabe, rreth 24 për qind në Kuvajt, rreth 18 për qind në Bahrein, ndërsa vetëm rreth 14 për qind në Izrael, shteti që konsiderohet se ka iniciuar këtë përballje ushtarake. Kjo tregon edhe një herë se në konfliktet e mëdha rajonale shpesh janë vendet partnere ose vendet më të vogla ato që përballen me pasojat më të drejtpërdrejta.

Historia na mëson se në marrëveshjet dhe konfliktet e mëdha gjeopolitike vendet e vogla jo gjithmonë përfitojnë, edhe kur janë në anën e partnerit fitues. Pikërisht në këtë kontekst duhet parë edhe propozimi i mazhorancës për një rezolutë që e shpall Iranin zyrtarisht si vend armik për Shqipërinë moderne.

Një vendim i tillë nuk duhet të shihet vetëm si një akt politik i momentit, por si një çështje që kërkon analizë të balancuar në raport me zhvillimet e politikës ndërkombëtare dhe me interesin afatgjatë të Shqipërisë. Në këtë kuadër qëndrimet e Shqipërisë duhet të jenë në harmoni me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, me qëndrimet e vendeve të rajonit të Ballkanit, si dhe me aleancën strategjike të NATO-s, ku Shqipëria është pjesë.

Në këtë drejtim duhet theksuar se shpallja e Gardës Revolucionare iraniane dhe e Hezbollahut si organizata terroriste është në përputhje me politikat dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe me kontekstin më të gjerë të sigurisë euroatlantike.

Megjithatë, shpallja e përgjithshme e Iranit si shtet armik përmes një rezolute, edhe nëse supozojmë se vjen si kërkesë nga partneri ynë më i madh strategjik në këto 35 vite – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një mik i madh i shqiptarëve ndaj të cilit shqiptarët kanë arsye të jenë mirënjohës për rolin vendimtar në çështjen e Kosovës – duhet të vlerësohet me kujdes.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka edhe arsye objektive që përdoren për të justifikuar një qëndrim të tillë, siç janë sulmet kibernetike që i janë atribuar Iranit ndaj institucioneve shqiptare, ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve dhe fakti që një pjesë e opozitës iraniane ndodhet dhe vepron në territorin e Shqipërisë, elemente që e bëjnë situatën edhe më komplekse dhe kërkojnë një vlerësim të matur strategjik.

Megjithatë më shqetëson fakti që shpesh dëgjohet argumenti: “Kush e ka mendjen te ne? Le të bëjmë sa të duam rezoluta.” Në realitet çështja nuk është kaq e thjeshtë, sepse rezoluta është një akt shtetëror dhe çdo akt i tillë ka peshën e vet politike dhe diplomatike.

Po aq e rëndësishme është që qëndrimet në konflikte të tilla ndërkombëtare të mos përdoren për konsum të brendshëm politik, sidomos në periudha zgjedhore apo në situata të tensioneve të brendshme. Në fund parimi duhet të mbetet i qartë: Shqipëria mbi të gjitha dhe interesi kombëtar duhet të jetë gjithmonë në qendër të çdo vendimi strategjik.

Le të supozojmë se konflikti aktual zgjatet dhe merr përmasa edhe më të mëdha; analistët mendojnë se pasojat e tij mund të shtrihen jo vetëm në Mesdhe, por edhe në Azinë Qendrore dhe në Ballkanin Perëndimor. Disa ekspertë ndërkombëtarë paralajmërojnë se kjo mund të ndodhë për shkak të rëndësisë së korridoreve energjetike dhe rrugëve strategjike që lidhin Lindjen e Mesme me Azinë dhe Evropën.

Një përshkallëzim i tillë, mos e dhëntë Zoti, mund të sjellë edhe pasoja më të thella gjeopolitike, si destabilizim rajonal, dobësim apo rënie të disa shteteve dhe madje krijimin e realiteteve të reja politike, përfshirë daljen e shteteve të reja në Mesdhe dhe në rajone të tjera përreth.

Deri tani shohim se vendet e Gjirit kanë humbur deri në 20 miliardë dollarë dhe, megjithëse përballen me tensione të forta me Iranin, nuk e kanë shpallur zyrtarisht atë si armik, duke e kuptuar kompleksitetin e situatës dhe duke shprehur se kjo nuk është një luftë e tyre, por një konflikt me karakter shumë më të gjerë gjeopolitik.

Prandaj është e rëndësishme që politikanët, analistët dhe mendimtarët shqiptarë t’i diskutojnë çështjet e marrëdhënieve ndërkombëtare – të cilat në këtë moment janë më të rëndësishme sesa debatet mbi SPAK-un apo lojërat politike lokale – me më shumë thellësi dhe përgjegjësi, gjithmonë në funksion të interesit dhe të politikës së jashtme të Shqipërisë. /tesheshi