Ballina Lajmet Rajon dhe Botë A ka nisur infiltrimi i strukturave shtetërore në protestë?

A ka nisur infiltrimi i strukturave shtetërore në protestë?

Kush po e drejton realisht situatën?

Në ditën e katërt të saj, protesta përpara Ministrisë së Arsimit ka prodhuar një skenë që mungoi gjatë tri ditëve të para: një dialog të drejtpërdrejtë mes komandantit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe protestuesve.

Në vend të përballjes vetëm me kordone policore, gaz lotsjellës dhe autobotë uji, këtë të premte komandanti zgjodhi t’u drejtohej qytetarëve, duke u kërkuar të ruanin qetësinë.

“Edhe unë kam djalin në protestë. Më lini të bëj detyrën. Do të ushqehet familja, do të zbatohet ligji, do të mbrohet shteti!”, u shpreh ai.

Një deklaratë e pazakontë në një situatë të tensionuar, ku për herë të parë një drejtues i forcave speciale foli jo vetëm si përfaqësues i uniformës, por edhe si prind që mund ta ketë familjen mes protestuesve.

Komandanti deklaroi se FNSH-ja nuk do të ndërhynte nëse protesta do të mbetej paqësore. “Nëse ka gurë dhe mjete të forta, do të përdoret uji dhe gazi, në të kundërt jo”, tha ai.

Pas këtij komunikimi, autoboti i ujit u tërhoq. Ai pranoi gjithashtu se pretendimet për gurë të hedhur nga policia duhej të shqyrtoheshin përmes pamjeve filmike, ndërsa për personat civilë me rol të paqartë u shpreh se nuk kishte dijeni.

Por skena e dialogut nuk ishte zhvillimi i vetëm që tërhoqi vëmendjen. Përballë policisë, protestuesit dukej se ishin ndarë në dy grupime.

Njëri më i qetë, që kërkonte të ruante karakterin paqësor të tubimit, dhe tjetri më agresiv, ku rreziku i përplasjeve ishte dukshëm më i madh.

Ky kontrast ngre një pyetje të pashmangshme: a është kjo thjesht pasojë e zemërimit dhe tensionit të akumuluar, apo ka individë që po përpiqen ta çojnë protestën drejt një skenari tjetër?

Dyshimi për infiltrimin e personave të lidhur me strukturat shtetërore, nuk është fakt i provuar. Por as nuk mund të hidhet poshtë pa një shqyrtim serioz, veçanërisht kur vetë komandanti deklaron se nuk njeh identitetin dhe prejardhjen e personave civilë që mund të jenë përfshirë në ngjarje.

Këtu qëndron edhe thelbi i çështjes. Nëse disa individë nxisin dhunën, ndërsa shumica kërkon të protestojë, kush përfiton nga shndërrimi i tubimit në përplasje? Dhe a mund të përdoret dhuna e një grupi për të delegjitimuar kërkesat e të gjithëve?

Dialogu i sotëm ishte një ndryshim i dukshëm nga tri ditët e para, por nuk mjafton për të larguar dyshimet. A ka nisur infiltrimi i strukturave shtetërore në protestë, apo kemi të bëjmë me një përshkallëzim spontan të zemërimit qytetar?

Përgjigjja nuk mund të ndërtohet mbi hamendësime. Por pikërisht për këtë arsye, institucionet duhet të sqarojnë se kush po vepron në rrugë dhe në interes të kujt, përpara se dyshimet të kthehen në një tjetër burim mosbesimi mes qytetarëve dhe shtetit.\tesheshi.com\