Teherani, nismë diplomatike për t’i ulur palët në tryezën e negociatave
Ndërsa konflikti mes Arabisë Saudite dhe huthinjve vazhdon të përshkallëzohet, Irani, një aleat i vjetër i grupit jemenas, u ofrua më 11 tetor të ndërmjetësojë mes dy palëve.
Por 12 ditë më vonë, asnjëra palë nuk e kishte pranuar ofertën e Teheranit dhe nuk kishte shenja se negociatat do të rifillonin së shpejti.
Yahya Saree, zëdhënës i huthinjve, deklaroi se sulmet ndaj Arabisë Saudite do të vazhdojnë derisa Riadi t’i japë fund asaj që grupi e quan “rrethimi financiar dhe ekonomik i popullit jemenas”.
Sipas huthinjve, kufizimet ndaj pikave të hyrjes në Jemen, përfshirë portet, janë në fuqi prej gati 12 vjetësh. Ata kërkojnë gjithashtu ndërprerjen e operacioneve ushtarake saudite kundër tyre.
Analistët vlerësojnë se Riadi nuk ka gjasa t’i pranojë këto kushte. “Unë nuk parashikoj që koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite apo qeveria e Jemenit, e njohur ndërkombëtarisht, të pranojnë kërkesat e Huthinjve për kontroll të plotë mbi hapësirën ajrore dhe hyrjen detare të Jemenit, si dhe për miliarda dollarë dëmshpërblim”, tha për Middle East Eye Mohammed Basha, ekspert i çështjeve jemenase.
Sipas tij, lëshime të tilla do t’i shpërblenin Huthinjtë ushtarakisht, politikisht dhe financiarisht, pa siguruar garanci për paqe të qëndrueshme.
Ndërkohë, luftimet janë intensifikuar në disa fronte, përfshirë Taizin dhe Maribin, ndërsa huthinjtë vazhdojnë të kërcënojnë me sulme të reja. Edhe nëse palët do të uleshin në tryezën e negociatave, rezultati më i mundshëm do të ishte një armëpushim i brishtë.
Alex Jalili, ekspert i çështjeve rajonale, tha se kërkesat e huthinjve shkojnë përtej heqjes së kufizimeve ndaj aeroporteve dhe porteve. Ato përfshijnë kompensim ekonomik, qasje në të ardhurat nga nafta dhe gazi, si dhe njohje politike.
Për këtë arsye, ai dallon një ndërprerje të përkohshme të sulmeve nga një marrëveshje e qëndrueshme që do të zgjidhte konfliktin. Për Riadin, pranimi i ndërmjetësimit iranian do të kishte pasoja që shkojnë përtej marrëdhënieve me huthinjtë.
Gjatë luftës amerikano-izraelite kundër Iranit, Arabia Saudite ka synuar të tregojë se mund të frenojë Huthinjtë dhe grupet e tjera të lidhura me Teheranin.
Më 29 korrik, Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme të përbashkëta ajrore në Irak, duke goditur grupe të lidhura me Iranin.
Njëkohësisht, Riadi po përpiqet të forcojë pozicionin e vet në rendin e ri rajonal të sigurisë, përfshirë përmes Paktit të Mekës, të nënshkruar me Turqinë dhe Pakistanin.
Pranimi i Teheranit si ndërmjetës në një konflikt ku huthinjtë konsiderohen nga sauditët si forcë e deleguar e Iranit, mund t’i dobësonte këto objektiva.
Për më tepër, Arabia Saudite ka kanale të tjera komunikimi me huthinjtë, përfshirë ato përmes Omanit. Sipas Jalilit, pranimi i ndërmjetësimit iranian mund të krijonte përshtypjen se Teherani është garantuesi përfundimtar i sjelljes së huthinjve, një rol që Riadi nuk dëshiron ta legjitimojë.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Arabia Saudite refuzon komunikimin me Iranin. Javën e kaluar, një zëvendësministër saudit konfirmoi se dy vendet vazhdojnë të mbajnë kontakte të drejtpërdrejta.
Edhe huthinjtë kanë arsyet e tyre për të mos nxituar drejt negociatave. Ata besojnë se sulmet e mëtejshme mund t’ua rrisin fuqinë negociuese.
Jalili theksoi se grupi ka treguar aftësinë për të kërcënuar infrastrukturën kritike, për të penguar aktivitetin ekonomik dhe për të shfrytëzuar dobësitë e mbrojtjes ajrore saudite.
Për këtë arsye, huthinjtë mund të mos pranojnë ndërmjetësimin iranian derisa të besojnë se kanë forcuar mjaftueshëm pozicionin e tyre ushtarak.
Për Teheranin, ndërmjetësimi do të ofronte mundësinë për të ndikuar në kushtet e një armëpushimi dhe për të ruajtur ndikimin e vet rajonal.
Sina Toossi, bashkëpunëtor i lartë jorezident në Qendrën për Politikat Ndërkombëtare, tha se Irani mund të synojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të mbështetur te armëpushimi i vitit 2022, me dispozita për portet, aeroportet, pagat dhe rindërtimin e Jemenit, si dhe garanci për sigurinë saudite.
Megjithatë, Teheranit mund t’i shërbejë edhe një armëpushim i brishtë, që u lë huthinjve mundësinë për të rifilluar luftimet.
Më 20 korrik, grupi njoftoi një embargo detare ndaj Arabisë Saudite, në përgjigje të sulmeve ajrore saudite kundër aeroportit ndërkombëtar të Sanasë dhe kufizimeve më të gjera ndaj aeroporteve dhe porteve jemenase.
Kërcënimet iraniane në Ngushticën e Hormuzit dhe ato të huthinjve në zonën e Bab El-Mandebit, i japin Teheranit mjete shtesë për të ushtruar presion mbi eksportet energjetike të rajonit.
Njëkohësisht, forcimi i pozicionit të huthinjve mund të ndihmojë Iranin të ruajë ndikimin e vet, ndërsa ndryshojnë ekuilibrat rajonalë.
Megjithatë, një përshkallëzim i pakontrolluar mund të dëmtojë edhe më tej marrëdhëniet mes Teheranit dhe Riadit. Arabia Saudite, e ka akuzuar Iranin se po nxit sulmet e huthinjve, në kundërshtim me angazhimet e marrëveshjes së afrimit të vitit 2023.
Konflikti mund të zgjerohet nëse Turqia ose Pakistani ndërmarrin operacione kundër huthinjve, apo nëse Britania përfshihet përtej mbështetjes mbrojtëse për Arabinë Saudite. Në këtë rast mund të përfshihen edhe grupet e lidhura me Iranin në Irak, të cilat prej vitesh bashkëpunojnë me huthinjtë.
Përhapja e konfliktit, mund t’i nxisë disa shtete të Gjirit të mbajnë një qëndrim më agresiv ndaj Teheranit, duke dëmtuar gjithashtu mundësitë për rifillimin e negociatave mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Sfida për Teheranin mbetet ruajtja e ndikimit strategjik që i sigurojnë huthinjtë, pa lejuar që konflikti të dëmtojë interesat e tij më të gjera rajonale dhe diplomatike. \tesheshi





