A mund të shpërthejë lufta në Bosnje? Përforcimi i bashkëpunimit boshnjako-shqiptar

Osman Atalay

Shkruan: Osman Atalay

Në territorin e Bosnje Hercegovinës, në afat të shkurtër e të mesëm nuk pritet ndonjë konflikt i nxehtë ushtarak, por edhe tensionet politike nuk duket se do të marrin fund shpejt. Marrëveshja e Dayton-it që i është imponuar shoqërisë boshnjake, sot nuk kënaq asnjërën nga bashkësitë e Bosnjes, as kroatët, as serbët dhe as boshnjakët.

Duhet të jemi të përgatitur për tronditjet politike që mund të sjellin problemet energjitike të BE-së, SHBA-së, Rusisë e Kinës si dhe ato lidhur me anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE.

Kërcënimet e anëtarit serb të Këshillit Presidencial të Bosnje Hercegovinës dhe liderit të Alancës së Social-Demokratëve të Pavarur Milorad Dodik për hapa radikalë në ushtri dhe në sistemet gjyqësore e fiskale dhe se do të shpallë pavarësinë e Republikës Serbe në rast se nuk ndodh një rikthim në thelbin e Marrëveshjes së Dayton-it që i pati dhënë fund luftës së 1992-1995-ës, e ka përshkallëzuar mjaft krizën politike në vend.

Kriza politike që filloi me bojkotimin nga Dodik dhe autoritetet serbe të ligjit për kriminalizimin e mohimit të gjenocidit në Bosnje, nxjerrë më 23 korrik nga ish-Përfaqësuesi i Lartë Valentin Inzko, është intensifikuar më tej me retorikat separatiste të Dodik-ut duke ngjallur shqetësime tek vendet fqinje për një luftë të re të mundshme.

Deklaratat provokuese të serbëve të Bosnjës kanë ngjallur reagime jo vetëm nga liderët boshnjakë por edhe nga Evropa dhe SHBA-të.

Anëtari boshnjak i Këshillit Presidencial Sefik Dzaferovic theksoi se autoritetet serbe duhet t’i japin fund menjëherë bojkotit dhe vuri në dukje se vendi ndodhet përballë krizës më të rëndë politike që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Dayton-it, se Dodik duhet të largohet nga skena politike dhe se ideologjia e “Serbisë së Madhe” nuk do të realizohet kurrë.

Udhëheqësi boshnjak Bakir Izzetbegovic, kundrejt shfaqjes së rrezikut të luftës kohët e fundit, bëri një deklaratë befasuese dhe shpresëdhënëse për popullin boshnjak duke thënë se: “Industria jonë ushtarake është më e fortë se kurrë. Kemi prodhuar pushkën tonë automatike dhe jemi në gjendje të armatosim me shpejtësi njëqind deri në dyqind mijë trupa, ndërkohë që jemi në fazën e zhvillimit të dronëve luftarakë.”

Por krahas serbëve, boshnjakët kanë probleme serioze që kërkojnë zgjidhje edhe me politikanët kroatë.

Me këtë rast Bakir Izzetbegovic vuri në dukje se për ta ristabilizuar gjendjen pas krizës së shkaktuar nga pala serbe me në krye Milorad Dodik-un, ashtu si në marrëveshjen e arritur në Uashington më 1993, nevojitet që boshnjakët dhe kroatët të veprojnë sërish bashkë: “Së pari ka një problem mes boshnjakëve dhe kroatëve që duhet zgjidhur. Problemi është se sipas kroatëve, njëri nga anëtarët e Këshillit tripalësh Presidencial nuk është zgjedhur me shumicën e votave kroate. Prandaj duhet zgjidhur ky problem në mënyrë që boshnjakët dhe kroatët t’u kundërvihen bashkarisht disa politikave aventureske e destabilizuese që po ndjek Dodik.”

Stabiliteti i marrëdhënieve politike të bashkësisë myslimane boshnjake me atë kroate të Bosnjes, përbën një çështje kritike sigurie.

Deklaratat e autoriteteve të BE-së dhe amerikane në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit të Bosnje Hercegovinës përbëjnë një mesazh për t’i dhënë fund krizës.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarisë Amerikane Mattheë* Palmer dhe drejtoresha e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm Angelina Eiçhorst, të cilët zhvilluan vizita në vend, deklaruan mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Përfaqësuesi i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje Hercegovinë Christian Schmidt, në fjalimin që mbajti në Parlamentin e Bosnje Hercegovinës javën e kaluar tha se politikanët serbë nuk do të lejohen të krijojnë institucione paralele në sfidë ndaj autoritetit shtetëror dhe se retorikave që vënë në dyshim sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje Hercegovinës duhet t’u jepet fund menjëherë.

Ndërkohë që retorikat separatiste të Dodik-ut, të frymëzuara kohët e fundit nga Beogradi por që nuk janë të parat prej tij gjatë dhjetë viteve të fundit, e kanë intensifikuar edhe më shumë krizën e vazhdueshme politikë në Bosnje Hercegovinë, ajo që ka ngritur më shumë vetulla është mungesa e një deklarate për zbutjen e tensionit nga presidenti dhe kryeministri i Serbisë.

Nuk duhet menduar se retorikat krizëndjellëse të politikanëve serbë gjatë muajve të fundit në Bosnje janë të pavarura nga Moska dhe Beogradi.

Pas luftës tragjike të viteve 1992-95, deklaratat populiste e konfliktuale të Dodik-ut kanë ngjallur reagime të forta në popull, por duhet kuptuar se Bosnja është shumë larg rrethanave të 1992-shit. Megjithëse problemet ekonomike dhe politike të Bosnjes janë shtuar, është shumë e rëndësishme që populli boshnjak ta ruajë unitetin, moralin dhe motivimin.

Shohim se marrëdhëniet politike, kulturore dhe ekonomike të Serbisë me vendet e Ballkanit janë rritur ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të fundit.

Bashkësia boshnjake e Bosnje Hercegovinës si dhe diaspora boshnjake në Turqi, Ballkan dhe Evropë, me politikanët, akademikët, biznesmenët dhe shoqërinë civile, nuk kanë arritur t’i bashkojnë forcat.

Neglizhimi për vite me radhë i marrëdhënieve me vende si Maqedonia e Veriut, Hungaria, Kosova e Shqipëria si dhe me diasporën boshnjake në Evropë, me të cilët mund të ishin ndërtuar marrëdhënie strategjike, ka qenë një humbje e madhe kohe për Bosnjen.

Kundrejt akteve dhe nismave provokuese politike të serbëve të Bosnjes, problemet e brendshme dhe pozicionimi i fokusuar tek BE-ja i politikës boshnjake përbën një problem më vete. Politika boshnjake, me dinamikat e saj të brendshme e të jashtme, tashmë duhet ta kthejë fytyrën drejt Shqipërisë, Kosovës dhe bahskësisë shqiptare të Maqedonisë së Veriut.

Izzetbegovic-i dhe politikanët, akademikët dhe shoqëria civile boshnjake duhet t’i shtojnë marrëdhëniet kulturore dhe tregtare me popujt shqiptarë. Nëpërmjet vizitash të ndërsjellta dhe forumesh sociale, duhen hedhur hapat për afrimin mes dy kombeve.

Dinamizmi strategjik i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama me vendet e Ballkanit dhe të BE-së duhet studiuar mirë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka vizituar Bosnjen edhe si lider i opozitës edhe si kryeministër dhe ka kryer homazhe në varrin e Alija Izzetbegovic-it. Këto vizita janë kritikuar nga shumë vende perëndimore.

Ndërkohë që zëvendëskryeministrja boshnjake e Kosovës Emilia Rexhepi viziton Bosnjen dhe varrin e Alija Izzetbegovic-it, qëndrimi i ftohtë i liderëve boshnjakë ndaj popujve të Shqipërisë dhe Kosovës është i vështirë të shpjegohet.

Lideri boshnjak Bakir Izzetbegovic dhe politikanët e tjerë boshnjakë duhet të kryejnë vizita kulturore në Kosovë, Shqipëri dhe në qytete shqiptare të Maqedonisë së Veriut. Duhet të vizitojnë varrin e heroit të luftës kosovare për pavarësi, Adem Jasharit.

Duhet nxitur vizita të ndërsjellta rajonale mes studentëve universitarë dhe duhet bërë e mundur që brezat e rinj të njihen me vlerat e përbashkëta historike e kulturore.

Ballkani është porta e Evropës për projektin Brez dhe Rrugë të Kinës. Ndërkohë investimin më të madh Kina po e bën në Serbi, duhet marrë parasysh ndikimi i politikës rajonale të këtij vendi.

Ndërkohë që Rusia po e riorganizon kulturën politike rreth Ortodoksisë në vendet e Ballkanit, boshnjakët kanë nevojë për lobe të fuqishme, inteligjente e dinamike.

Kundrejt shantazheve të vazhdueshme të Dodik-ut, politikanët boshnjakë duhet të zhvillojnë retorika dinamike alternative ndaj Perëndimit dhe serbëve. Problemi i mosnjohjes politike të Kosovës nga boshnjakët edhe mund të tolerohet, por popujt e Kosovës dhe të Bosnjes duhet të ndërmarrin nisma të përbashkëta organizimi civil.

Shqiptarët janë forca rrufepritëse e boshnjakëve në Ballkan. Kundrejt Dodik-ut që ka pas vetes një popullsi serbe prej tetë milionësh, mungesa e një inteligjence kulturore dhe politike që t’u flasë dhjetë milionë shqiptarëve dhe boshnjakëve përbën një gjendje tragjike.

Shoqëria boshnjake ka nevojë t’i forcojë marrëdhëniet me bashkësitë shqiptare të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut. Fakti që deri më sot nuk është ndërtuar një urë e tillë në fushat politike dhe kulturore, është diçka që lyp reflektim. /shenja

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *