Abdixhiku kërkon anulimin e tenderit 110 milionësh

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se nga sot ka iniciuar procedurat ligjore për anulimin e tenderit në lidhje me autostradën e Gjilanit.

Sipas tij, ministria e mandatit të kaluar e ka shpallur tenderin në vlerë prej 110 milionë eurosh për ndërtimin e 24 kilometrave të kësaj autostrade.

“Qeveria e tanishme do t’i shqyrtojë të gjitha vendimet e ndërmarra nga qeveria e kaluar që nuk kanë bazë ligjore, me vëmendje të veçante te ato vendime që kanë implikime të mëdha financiare”.

“I sigurojmë qytetarët që projekti në fjalë do të jetë prioritet i qeverisë, është pjesë e programit tonë qeverisës, por thirrja për tenderim të ndodhë vetëm pasi të jetë miratuar buxheti i vitit 2020”.

“Futja e shtetit në detyrime financiare pa buxhet të aprovuar paraprakisht, përveç që është akt joligjor, ka mundësi edhe për penalizime financiare, të ngjashme siç i ka pasur Kosova në vitet e shkuara”.

“Nuk guxojmë të shpenzojmë dhe ta fusim shtetin në borxhe pa pasur buxhet të aprovuar. Në bazë të buxhetit në fjalë do të bëjmë tenderime kësisoji”.

Abdixhiku u shpreh se kanë plane edhe për Autostradën e Dukagjinit, duke thënë se “në vend të ndërtimit të një autostrade, e kemi paraparë zgjerimin e rrugës aktuale dhe mjetet tjera të shkojnë në arsim dhe projekte të tjera”.