Abdixhiku-Kurtit: U vonua 2 vjet për hartimin e draft-statutit të Asociacionit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, është vonuar dy vjet që të kuptoj se duhet ta hartoj draft-statutin e Asociacionit.

Përmes një statusi në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se një gjë të tillë ia kishte thënë kryeministrit dy vite më parë, derisa ka shkruar se tashmë është vonë për ta bërë një gjë të tillë.

“Ka plot dy vite që ne, LDK, dhe gjithë miqtë më të afërt të Kosovës, që i kërkojmë Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e “kryeministrit të shtetit të përkohshëm”, që të hartojë draftin e statutit të Asociacionit, si dokument i brendshëm i Kosovës. Si obligim ndërkombëtar i Kosovës.

Ka dy vite që “kryeministri i shtetit të përkohshëm”, i ulur në tavolinë dialoguese me tre mosnjohjes të tjerë shteti, që ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë.

Në seancën e 3 nëntorit, e kuptuam arsyen. Na tha, “nuk kam dashur të shkruaj një dokument të tillë, meqë kam qenë i bindur se ndërmjetësuesi më pas do të sillte një mes të dokumentit të Kosovës dhe atij të Serbisë”.

Por dokumenti i ndërmjetësuesit erdhi.

Jo si mes, por dhe më rëndë, erdhi si autonomi!

Dy muaj më pas, tek pasi ka pranuar autonominë e serbëve në Kosovë, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e “kryeministrit të shtetit të përkohshëm”, del me propozim që tani Kosova ta shkruaj statutin e Asociacionit vet. Se qenka çështje e brendshme e jona. E paska kuptuar nga ndërmjetësuesi. Dy vjet pas.

Vonë. Shumë vonë. E dëmshme kjo vonesë. E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi! Autonomi e pranuar nga “kryeministri i shtetit të përkohshëm” dhe Presidenti i Serbisë”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.

Madje Abdixhiku ka shkruar se Kurti ka qenë i gatshëm ta nënshkruaj draft-statutin e Asociacionit me Serbinë, e të cilin sipas tij do të duhej ta bënte presidentja e shtetit.
“Dhe jo vetëm kaq.

Ka plot dy muaj që si narracion kryesor të tij, na thotë se ka qenë i gatshëm të nënshkruaj Draft Statutin e Asociacionin me Presidentin e Serbisë. Madje që atë ditë. Merreni me mend, një dokument të brendshëm të Kosovës, ta nënshkruaj jo një President Kosove por një President, hiç më pak se ai i Serbisë. Ka plot dy muaj që ngrisim në pah këtë çmenduri; dhe tek sot, dy muaj më pas, s’kërkon këtë nënshkrim. Nënshkrimi i draft statutit me Serbinë s’është më kërkesë.

Çfarë ndodhi “kryeministër i përkohshëm”?

E kuptove – më në fund – këtë çmenduri?

A e kuptoni se sa pak di? A e kuptoni se sa e dëmshme është kjo vonesë e tij. Paqëndrueshmëria e tij është thelbi i pasigurisë! Padituria e tij është çmimi që paguajmë sot dhe nesër të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku.