Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se aktualisht është e vështirë të arrihet konsensus politik për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Abdixhiku tha se në këtë fazë nuk ka një kandidat konkret për të cilin është kërkuar mbështetje.
“E shoh shumë të vështirë çështjen e konsensusit politik në këtë moment brenda partive shqiptare. Nuk ka ndonjë kandidat specifik, në këtë fazë që na është prezantuar. Nuk na është kërkuar vota për ndonjë emër specifik. LDK-ja me 15 deputetë nuk mund të caktojë emër”, u shpreh ai.
I pyetur për qëndrimin e LDK-së lidhur me emrin e Vjosa Osmani për presidente, Abdixhiku tha se subjekti që ai drejton nuk ka marrë qëndrim për emra të përveçëm.
“Ne nuk kemi qëndrim për emra të përveçëm, por s’kemi thënë asnjëherë që kemi apo s’kemi votë për Osmanin. Unë prisja që ne partitë politike të diskutonim për emra; s’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte as vullnet për konsensus”, deklaroi Abdixhiku.
Ndërkohë, krejt në fund tha se për garë nuk beson që ka zgjidhje dhe sipas tij nëse PDK-ja dhe VV-ja vendosin për garë atëherë do të shkohet në zgjedhje.








