Abdixhiku tregon çka bisedoi me Kurtin e Osmanin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka folur për media pas takimit të tij me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe me kandidaten e LVV-së për presidente, Vjosa Osmani.

Abdixhiku është shprehur pas takimit se ka biseduar me Kurtin për formimin e institucioneve dhe ia ka bërë të qartë pozicionin e LDK-së si parti opozitare, shkruan lajmi.net.

Sa i përket çështjes së presidentes, Abdixhiku ka thënë se me Osmanin do të takohet pas formimit të institucioneve për ta ditur rolin e saj të qartë karshi LDK-së, nismës së saj politike, partive opozitare dhe karshi Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ne sot përfunduam takimin e parë me përfaqësuesin dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje z.Kurtin me të cilin i diskutuam temat e sekuencës së formimit të institucioneve. Nuk dua të them se këtu i kemi përfunduar takimet me Lëvizjen Vetëvendosje sepse pozicionet tona janë të qarta, sepse kështu ka vendosur zëri qytetar, LVV është në pozitë, ne jemi në opozitë, ne do të jemi opozitë aktive dhe do të jemi alternativë e re në skenën politike të ardhshme gjatë qeverisjes. Pra, këtu përfundojmë takimin me Lëvizjen Vetëvendosje dhe jemi dakorduar që pas formimit të institucineve të takohemi me kandidaten pretendente për presidente të Kosovës dhe të kuptojmë pozicionin e qartë të saj në këtë cilësi karshi LDK-së, LVV-së, karshi partive opozitare dhe nismës së saj politike të paralajmëruar. Presim që javën e ardhshme të bisedojmë dhe të presim ftesën nga pretendentja për presidente.”, tha Abdixhiku.

Lidhur me kohën e takimit Abdixhiku ka thënë se për afatet kohore duhet të pyeten ata që janë pozitë.

“Takimi do të mbahet gjatë javës së ardhshme, do të ketë afate kohore por për këtë do të pyeten ata që formojnë institucionet dhe jo ne opozita.”, tha Abdixhiku.

Tutje ai shprehet se LDK do të jetë opozitë e VV-së.

“Ne të hënën jemi parti parlamentare dhe marrim pjesë me deputetët tanë, këtu përfundon relacioni ynë me VV-në, do të jemi opozitë e tyre.”, tha ai.

Lidhur me komentet e Lutfi Hazirit dhe Avdullah Hotit për votën ndaj Osmanit si kandidate për presidente, Abdixhiku tha se kjo do të vendoset në Këshillin e Përgjithshëm.

“Nesër si LDK e kemi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ku do të votojmë kryesinë e re dhe aty merren të gjitha vendimet, unë nesër do t’ua paraqes detajet e këtij takimi, e rëndësishme është që Presidenti t’i përfaqësojnë të gjitha interesat e të gjithë qytetarëve të vendit, ne si LDK duam president jo që përfaqëson një parti politike por të gjithë.”, tha ai më tutje.