Abuzoi seksualisht shqiptaren, Robinho dënohet me nëntë vjet burgim

Prokurorët italianë kërkojnë që Robinho të vuajë dënimin me burg në Brazil, pasi u shpall fajtor për përdhunim ndaj një shqiptareje në vitin 2013.

Italia ka kërkuar që ish-sulmuesi i Milanit, Manchester Cityt dhe Real Madridit, Robinho, të vuajë një dënim me nëntë vjet burg për përdhunim në vendin e tij, njoftuan mediat lokale, duke cituar ministrinë e marrëdhënieve të jashtme të Brazilit.

Në një deklaratë, ministria braziliane konfirmoi se ka marrë një kërkesë të tillë pa përmendur emrin e lojtarit.

Kërkesa do të analizohet nga departamenti i riatdhesimit të pasurive dhe bashkëpunimit juridik ndërkombëtar të ministrisë së drejtësisë, shtoi ministria.

Robinho, emri i plotë i të cilit është Robson de Souza, jeton në Brazil dhe gjithmonë i ka mohuar akuzat.

Këtë javë, ministria e drejtësisë e Italisë kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për lojtarin, pasi gjykata e lartë e vendit konfirmoi dënimin e tij për përdhunim në janar të këtij viti.

Por vendi i Amerikës së Jugut nuk i ekstradon shtetasit e tij, që do të thotë se Robinho do të përballet me arrestimin vetëm nëse ai udhëton jashtë vendit.

Një gjykatë në Milano në vitin 2013 e shpalli Robinhon dhe pesë brazilianë të tjerë fajtorë për përdhunimin në grup të një gruaje shqiptare (22 vjeçare) pasi e kishin mbushur me alkool në një klub nate. Dënimi u konfirmua nga një gjykatë apeli në vitin 2020 dhe u vërtetua nga Gjykata e Lartë e Italisë muajin e kaluar.