- Në liri përbënte rrezik, sepse e kishte definuar qartë dhe konkretisht idealin e tij kombëtar, por i rrezikshëm ishte edhe pothuajse tri dekadat e burgut, sepse i frymëzoi të gjitha gjeneratat e veprimtarëve të tjerë që ta ndjekin rrugën e tij…
- Daut DAUTI, Shkup
- Në kohën kur gjenerata ime rritej, emrin e “nacionalistit Adem Demaçi” e kisha me të dëgjuar. Ka gjasë që, meqë publikisht nuk përmendej, në ndonjë muhabet ode dikush dhe ta përmendte, por, gjithsesi, atëherë kjo edhe mund të mos thoshte shumë gjë. Sepse jeta, vepra, idealet e tij, duke qenë diku larg nesh në vuajtje të burgut shumëvjeçar, nuk ishin aq sfiduese, sidomos jo ndoshta në atë periudhën “e marrjes frymë lirisht” të viteve të ‘70-ta, kur qe një periudhë e iluzionit se punët po shkonim më mirë për shqiptarët, ndonëse dhe nuk zgjati më shumë se dhjetë vjet. Dënim pas dënimi, gjithsej tre, atë e kishin bërë sinonim të të burgosurit të përjetshëm, i cili “nuk ka shpëtim”, e i cili “vetë e ka fajin” për këtë fat!
- “Nacionalisti i tmershëm”, “indoktrinuesi”…
- Emri i tij do të bëhet më i pranishëm pas ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë, në fjalimet politike diskualifikuese të forumeve partiake, nga komuna gjer në federatë, për ta përdorur sërish intelektualin prapa grilave si gogol ndaj atyre që u paraqitën si gjeneratë e re e revoltës kundër padrejtësive që i bëheshin popullit shqiptar. Sepse, gjithçka që quhej si ekstreme, siç ishte kërkesa që Kosova të jetë republikë e shtatë, merrej si një indoktrinim nga fryma e Adem Demaçit, i cili shumë më herët ishte deklaruar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
- Adem Demaçi nuk reinkarnohej nga burgu te gjeneratat e reja vetëm nëpërmjet idealit të tij, por edhe jetonte përmes veprës letrare “të ndaluar”. Ashtu funksiononin gjërat: autori në burg, vepra e tij e ndaluar! Dhe, mbaj mend një anekdotë me një shok timin nga fakulteti pikërisht rreth veprës… Më vjen një ditë shoku me një libër të mbështjellë me qese letre. “Ta kam sjellë, a don ta lexosh?” Ende pa e pyetur mirë se për çfarë libri bëhet fjalë, më tha: “Gjarpinjtë e gjakut”… Trupin ma përshkuan rrënqethjet, ndjeva edhe një ftohtësi në damarë dhe djersë të ftohta! Më parakaluan shumë gjëra nëpër sy, kureshtje e shumë frikë bashkë. Sepse, kisha dëgjuar për romanin, kisha dashur ta lexoj, por që të mos bëhem trim, të jem i sinqertë, hezitoja a ta marr ose jo, sepse ato vite të ’80-ta, mund të shkoje në burg edhe për vepra më pak problematike (si p.sh. të Kadaresë ose Sterjo Spasses (!), siç kam hasur në disa dosje të dënuarish politikë gjatë punës në Komisionin e Lustrimit tri-katër dekada më vonë), e lëre më për librin e Adem Demaçit, “armikut nr. 1 të sistemit”. “Nëse lexon dhjetë faqe, nuk mund të pushosh së lexuari!”, më tha shoku.
- Duhet thënë se atëherë kishte një si mistifikim për përmbajtjen e romanit, sepse shumëkush ka menduar se njashtu siç është autori “i rrezikshëm” për sistemin, e tillë është edhe vepra e tij. Prandaj, teksa vepra e ndante fatin e anatemës së autorit, te publiku ekzistonte ajo lloj kureshtjeje që në vepër t’i gjejë edhe ato elemente të supozuara “subverzive” ndaj shtetit. Jo pak huti shkaktonte titulli që mund të lexohej në shumë mënyra (“Gjarpinjtë e gjakut”), sepse pa e lexuar veprën na dukej se ajo simbolizon regjimin që ua thith gjakun shqiptarëve me pambuk! Kur e pata lexuar veprën, më ranë në ujë të gjitha këto paragjykime, u shpërfaq absurdi i aparatit shtetëror, që bashkë me autorin, e persekuton edhe veprën, edhe kur ajo është një vepër që e trajton një fenomen shoqëror e zakonor të njohur, siç është hakmarrja. Një lexim i ftohtë pastaj të jep mundësi që t’i lësh anësh kontekstet e viteve të burgut të autorit, por të merresh me temën, e cila ka qenë e pranishme ndër shqiptarët me shekuj, pastaj idenë, figurshmërinë, gjuhën stilin, dialogët…, pra një analizë pa ngarkesa politike. Vjen në përfundim se romani është një vepër artistike në nivel të lakmueshëm, i rëndësishëm edhe për historinë e letërsisë, duke qenë ndër romanet e para në Jugosllavi në gjuhën shqipe, ndoshta me një gjuhë paksa vështirë të kuptueshme për gjeneratat që janë rritur me gjuhën letrare, por aty edhe qëndron bukuria fundja, sepse ai është shkruar në Kosovë dhe shumë vite para (më 1958) njësimit të gjuhës në Kongresin e Drejtshkrimit (1972). Nëse ka diçka “të rrezikshme” jashtë kontekstit letrar, janë mesazhet humane për faljen e gjaqeve, e jo hakmarrjes, që ndoshta në kohën kur është shkruar, në kohën e shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve për Turqi, nuk i është përshtatur politikës së regjimit komunist.
- “Aq shumë ideal e vuajtje në një emër, sa vështirë t’ia gjesh shokun. Ia gjen në emra si Nelson Mandela, me të cilin ndan famën e të qenit i burgosur politik më i njohur në Ballkan me ‘stazh’ sa ai. Një emër që në fëmijërinë dhe rininë e gjeneratës sime dhe të atyre para nesh, paraqiste frikë për t’ia përmendur.”
- Kështu disi isha shprehur në një përkushtim kur në vitin 2018 pat ndërruar Adem Demaçi. Me të drejtë, sepse Adem Demaçi nuk qe një shkrimtar që ka shkruar ndonjë vepër për t’u ndaluar, por sepse veprimtaria e tij dilte nga kornizat e krijimtarisë dhe hynte në veprimtarinë politike për të korrigjuar padrejtësitë historike. Nëse establishmeti politik shqiptar (kosovar) i kohës ishte pajtuar me një status jo përkatës, ai ishte i zëshëm në mospajtimin me politikat e diskriminimit, për premtimet e papërmbushura nga “lufta e përbashkët” antifashiste, për valën e dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre… Një intelektual si ai, që ngre zërin e së vërtetës, doemos do të paraqiste rrezik për sistemin. Edhe në ngjarjet e mëvonshme, me ngritjet e pakta dhe me kundërgoditjet e hegjemonizmit serb nën ombrellën e Jugosllavisë së Titos, Adem Demaçi do të ishte emri që nuk guxohej të përmendej. Emrin e tij guxonte ta përmendte vetëm regjimi, i cili kur donte t’i rëndojë qindra e mijëra veprimtarë të tjerë, ua ngarkonte “indoktirnimin” nga fryma e Adem Demaçit.
- “Lundrimi” në ujërat e lirisë…
- Në grahmën e fundit të regjimit komunist dhe të krijesës shtetërore RSFJ, me një vendim politik të Kryesisë së Jugosllavisë lirinë do ta shohë edhe Adem Demaçi. Dalja në liri ishte momenti i njohjes më për së afërmi për gjeneratat që vetëm kishin dëgjuar për të. Publiku më i gjerë jugosllav do ta njohë përmes një megainterviste për magazinin e famshëm javor “Danas” (autor Fahrudin Radonçiq), që pastaj do të botohet si libër dhe pa numër intervistash e portretesh të tij nëpër shumë gazeta. Habia më e madhe do të jetë se ai u shfaq me një fytyrë të një njeriu krejtësisht normal, i cili nuk përmbante atë “dozë” të stërmadhuar të rrezikut, për më tepër nga goja e tij dilnin porosi paqeje, mirëkuptimi midis popujve, natyrisht pa hequr dorë nga qëllimi për të cilin kishte vuajtur burgun – për të drejtën e popullit të Kosovës të jetojë i barabartë, për të drejtën e Kosovës për vetëvendosje. Ishte, pra, njeriu ide, njeriu koncept, njeriu idealist gjer në fund. Dikush do të thotë edhe i indoktrinuar me atë frymën që ne shqiptarët këtej kufirit të shtetit amë e kemi konceptuar, në fytyrën e një komunizmi “më të drejtë” në botë, por njeriut i falet lajthitja në mungesë të kontaktit me realitetin.
- Në liri, Adem Demaçi u bë “Baca Adem”, njeriu i afërt me secilin dashamirës, i cili do ta vazhdonte jetën dhe veprimtarinë e tij në realitetet e reja që do të krijohen me shpërbërjen e Jugosllavisë, në rrënojat e së cilës Kosova u gjet pa murnajat që do ta mbanin si subjektivitet të qëndrueshëm. Andaj edhe lufta e Bacës do të adaptohej me këto rrethana.
- Një emër zulmëmadh, në njërën anë, e aq njerëzor, aq për tokë, do të ishte përshtypja e parë kur ta takoje për së gjalli nëpër ngjarje të ndryshme ose ndeje. Të këtillë e mbaj mend edhe unë në ato jo shumë kontakte të drejtpërdrejta me të viteve të 90-ta, si private, ashtu edhe profesionale. Ai, si një “pelegrin i vonuar”, do të rivendosë kontaktet me shumë bashkëveprimtarë dhe me këtë qëllim shpesh kthente edhe në lagjen Veri të Shkupit për t’u takuar me Mësuesin. Kështu e quante Hilmi Shehin, babain e sime shoqe, i cili ngjashëm si ai, për shkaqe politike, kishte qenë i dënuar me 20 vjet burg si pjesëtar i grupit të Kaçanikut të NDSH-së. Për shkak të tetë viteve dallim në moshë, si më i vjetër, dhe për shkak se në kohë lufte kishte qenë mësues, i kishte mbetur që Hilmi Shehin ta quante Mësues, ndonëse ai e kishte tejkaluar për nga emri dhe zgjatja e burgut. Te Mësuesi vinte pa trokitur, një miqësi dhe respekt i ndërsjellë.
- “Vet-mohimi”, edhe maqedonisht, përtej paragjykimeve
- Për Shkupin e lidh edhe një projekt i ri letrar. Ai, në liri, e shkroi romanin “Libri për Vet-Mohimin”, një vepër sa roman, aq dhe pamflet politik, por dhe koncept filozofik i frymës së tij, që ai përhapte pas daljes nga burgu. Të njeriut të idealit dhe idealistit që lufton regjimet shtypëse dhe nuk urren njeriun dhe nuk urren popujt. Vëllait tim, Azamit, përndryshe pronar i Shtëpisë Botuese “Shkupi”, i lind ideja që këtë libër t’ia ofrojë lexuesit në gjuhën maqedonase dhe kjo ide e tij do të realizohet në verë të vitit 1996. Në kohën e realizimit të këtij botimi, bacën Adem e kishim pritur edhe në shtëpinë tonë, e, më vonë, duke ndenjur gjatë në muhabet, ndërkaq si ngjarje e rrallë ishte promovimi i librit në Teatrin (atëherë ende) e Kombësive, ku salla ishte plot e përplot, ku për librin patën folur në superlativ dr. Ferid Muhiqi dhe regjisori Lubisha Georgievski. Ky i dyti, me të kuptuar se po promovohej libri, e pranoi me gjithë qejf të flasë për të, sepse ishte mrekulluar me atë roman, që e kishte lexuar në një gjuhë botërore. Ky botim, pra, ishte një hap i duhur për t’ia përafruar autorin “e ndaluar” lexuesit të paragjykueshëm maqedonas, i cili me vite kishte qenë viktimë e propagandës së Beogradit, që në formë mosbesimi e paragjykimi ka vazhduar edhe pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së Jugosllavisë. Tash pikërisht Ministria e Kulturës e mbështeste librin e “Nacionalistit”.
- Shkupi, për bacën Adem, ka qenë një qytet ku vinte e takohej me shumë miq, por dhe transit për ato vizita të shumta nga e thërrisnin nëpër botë. Një nga ata që e ndihmonin me bileta aeroplani ka qenë edhe biznesmeni Gani Cakoli, pronar i Agjencisë Turistike “Viktoria turs”. Në respekt të jetës dhe veprës së tij, vitin e kaluar një rrugë e komunës së Çairit e mori emrin e tij, në afërsi të banesave të miqve të tij, si Hilmi Shehi, Hilmi Toska e shumë miqve të tjerë, sepse dera e çdo shqiptari ishte e hapur për të.
- Mosgjeturia në kohën pluraliste?
- Në karrierën time gazetareske kam zhvilluar me dhjetëra intervista, por jo edhe me Bacën Adem. Tek ai sigurisht do ta kisha pasur derën çelë si “dhëndër i Mësuesit Hilmi”. Ndoshta ngase kisha vlerësuar se në ato intervista jo të pakta që kishte dhënë pas daljes nga burgu, nuk kishte mbetur gjë pa thënë për vuajtjet e tij. Por, kah fundi i vitit 1996 isha në Tiranë për të përcjellë shenjat e para të shkatërrimit të kursimoreve piramidale, si dhe në përpjekje për të realizuar një intervistë me presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha, në kohën kur ky ende deklaronte dhe, me gjasë, besonte në mënyrë naive se ato janë “para më të pastra në botë”. Pikërisht atyre ditëve në Tiranë qëndronte edhe Adem Demaçi dhe unë e shfrytëzova rastin të takohem me të pas një interviste në TVSH. Bëra një intervistë të shkurtër, ashtu në këmbë, para ndërtesës së televizionit. Nuk ishte nga ato biseda që zënë vend me shumë faqe gazete, aq kishte kohë sa për të treguar se kishte ardhur për të shprehur mospajtimin e tuj me politikën e Rugovës. Ai ishte i bindur se “konferencomania” javore e Rugovës e kishte bërë shterpë kauzën e Kosovës, prandaj duhej bërë diçka dhe ky ishte kyçur një mision të presionit për ta ndryshuar strategjinë e veprimit (më duket se atëherë ishte aktual edhe moskonstituimi i parlamentit), në një kohë kur edhe qeveria e në ekzil e Bukoshit e kërkonte të njëjtën gjë.
- Këtë episod e bën karakteristik ajo përpjekje e Adem Demaçit që të japë kontributin e tij në zhvillimet e Kosovës, si një autoritet suprem. Ai mbeti t’i nxisë proceset ose, të paktën, të përpiqej, edhe pse e dinte se nuk varej gjithçka prej tij. Nuk kishte ndeje, tribunë, intervistë pa kritikuar Rugovën, i cili për të ishte shumë “frymëzues”. Ngjarjet që do të pasojnë do të jenë dramatike, që i dimë të gjithë: lufta e ‘99- tës dhe pavarësia. Ndoshta ka qenë vlerësim i gabuar i tij që qëndroi jashtë subjekteve politike. Ndoshta, sepse atij nuk i shkonte të jetë pjesë e subjekteve, ndoshta sepse autoriteti i tij duhej të ishte mbi të gjithë dhe ai e mëtonte atë pozicion që e meritonte në shoqërinë shqiptare, jashtë banaliteteve të përplasjeve politike. Por, jo pasiv. Ky pozicionim do ta bëjë ngapak të çorientuar: do të bëhet zëdhënës i UÇK-së, por me hamendje që gati se e rrezikuan Marrëveshjen e Rambujesë, kurse kur u arrit liria dhe u krijuan subjekte të dala nga UÇK-ja, ai do të mbetet jashtë tyre dhe pothuajse jashtë proceseve…
- Më vonë do të ketë përafrime me Lëvizjen Vetëvendosja, i motivuar nga animoziteti ndaj subjekteve si LDK dhe PDK, por kur do të kuptojë se nuk mund të bëjë gjithaq me “koka të nxehta”, do t’i dëbojë nga banesa e tij. Ishte ai moment kur LVV-ja kishte ndër mend ta propozojnë për kryetar, por me kusht që të mos ia japë mandatin Hashim Thaçit! Kishin thënë do të të përkrahim, por më mirë Kosova të shkatërrohet se t’i japish mandatin Hashimit. Kur Baca Adem u kishte thënë “hajt, bac, shkoni se paski rrëshqitë prej shinave”! Axhamillëk i skajshëm t’i vesh kusht të palogjikshëm një Adem Demaçi! Ta kishin propozuar “pa kushte”, do të kishte qenë një satisfaksion moral për gjithë flijesën që bëri ndër vite për Kosovën… Gjithsesi, jashtë politikës, respekti ndaj tij nuk ka munguar: fill pas daljes nga burgu, mori çmimin e lartë “Saharov”, kurse shteti i Kosovës i kishte siguruar status material si askujt tjetër.
- Në përkushtimin me rastin e vdekjes pata thënë se sigurisht Bacës Adem nuk i ka mbetur peng në shpirt për asgjë. Ai luftoi dhe e pa më në fund Kosovën ashtu si e kishte ëndërruar e për të cilën ishte persekutuar: Kosovën shtet të lirë, ku ka më mirë, kjo është kurora e një idealisti të përvuajtur… Porse, kjo s’do të thotë se një funksion i lartë, si kryetar i Kosovës, si baba i kombit, nuk do të ishte një aureolë e natyrshme për një personalitet si ai, edhe pse në vitet e lirisë ai ishte mbi gjithçka që nënkuptonte funksion politik, frymëzim për të gjitha gjeneratat. /revistashenja