Zyrtarët e lartë të administratës së presidentit amerikan Donald Trump kanë qenë të përçarë prej muajsh lidhur me luftën ndaj Iranit, transmeton Anadolu.
Zëvendëspresidenti JD Vance ka kritikuar privatisht kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ka paralajmëruar se konflikti mund t’u kushtojë republikanëve kontrollin e Kongresit, sipas mediave amerikane. Vance e ka akuzuar Netanyahun se “e ka gabim për gjithçka” lidhur me Iranin dhe i ka kërkuar vazhdimisht Trumpit të negociojë për t’i dhënë fund konfliktit, raporton “Axios”.
Ai ka paralajmëruar se lufta është shumë jopopullore mes votuesve amerikanë dhe mund të çojë në humbjen e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit.
Ndërkohë, “The Wall Street Journal” raportoi se brenda administratës janë shtuar mosmarrëveshjet për vazhdimin e operacioneve ushtarake kundër Iranit. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka mbështetur vazhdimin e fushatës, ndërsa Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe zyrtarë të tjerë kanë kërkuar negociata diplomatike.
Përçarjet u bënë më të dukshme pas fitores së demokratëve në të dy dhomat e Kongresit në zgjedhjet e së martës, për të cilën Vance fajësoi publikisht luftën.
– Në Shtëpinë e Bardhë u diskutua që sulmet të mos bëhen publike
Sipas “The Wall Street Journal”, zyrtarë të lartë të administratës zhvilluan në shtator një takim në Shtëpinë e Bardhë, ku diskutuan për pasojat politike të luftës ndaj Iranit.
Pjesëmarrësit, mes tyre Vance dhe Rubio shprehën shqetësimin se pranimi publik i vazhdimit të sulmeve amerikane mund t’i dëmtonte kandidatët republikanë në garat e ngushta zgjedhore. Trumpi u informua për diskutimet dhe u pajtua se bërja publike e operacioneve nuk do t’i ndihmonte partisë në zgjedhje, raportoi gazeta.
Më vonë, forcat amerikane kryen sulme të kufizuara mbrojtëse ndaj lëshuesve iranianë të raketave dhe pajisjeve të tjera ushtarake, pa i bërë operacionet shumë publike.
– Netanyahu i kërkoi Trumpit sulme të reja
“Axios” raportoi se Netanyahu i kishte kërkuar Trumpit të rifillonte sulmet ndaj Iranit përpara zgjedhjeve, pavarësisht paralajmërimeve amerikane për pasojat politike.
Trumpi e shqyrtoi këtë mundësi, por vendosi të priste deri pas zgjedhjeve. Sipas “Axios”, shumica e zyrtarëve të lartë pranë Trumpit mbështesnin qëndrimin e Vance-s për arritjen e një marrëveshjeje me Teheranin, megjithëse presidenti vazhdonte të anonte drejt veprimeve të reja ushtarake.
– Vance fajëson luftën dhe politikën ndaj Izraelit për humbjen në zgjedhje
Të mërkurën, Vance i lidhi drejtpërdrejt humbjet zgjedhore të republikanëve me politikën e administratës ndaj Iranit. “Arsyeja pse humbëm është lufta”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Sipas “The Washington Post”, Vance tha se votuesit që kishin mbështetur Trumpin në vitin 2024 ishin kthyer kundër republikanëve për shkak të luftës, rritjes së kostos së jetesës dhe pakënaqësisë me politikën e jashtme. Ai identifikoi katër shqetësime kryesore: përfundimin e luftës ndaj Iranit, uljen e inflacionit dhe kostos së jetesës, rikthimin e parimit “Amerika e Para” dhe ndryshimin e marrëdhënieve të Washingtonit me Izraelin.
“Votuesit tanë dolën në votime”, shkroi Vance, duke shtuar se shumë prej tyre megjithatë votuan për kandidatët demokratë. Trumpi më vonë pranoi se konflikti kishte ndikuar në humbjet zgjedhore, veçanërisht për shkak të rritjes së çmimeve të benzinës.
“Besoj se kjo është kryesisht e vërtetë, sepse në afat të shkurtër e rriti pak çmimin e benzinës”, u tha ai gazetarëve. Megjithatë, Trumpi mbrojti vendimin për nisjen e fushatës ushtarake, duke theksuar se pengimi i Iranit për të siguruar armë bërthamore mbetet thelbësor.
– Trumpi përballet me alternativa të ndryshme për Iranin
Humbja në zgjedhje ka shtuar debatet brenda administratës për hapat e ardhshëm ndaj Iranit. Sipas “Axios”, Trumpi ka tri alternativa kryesore: rifillimin e sulmeve të mëdha ushtarake, negocimin e një marrëveshjeje me Teheranin ose vazhdimin e bllokadës detare dhe sanksioneve ekonomike për të siguruar lëshime të mëtejshme nga Irani.
Ndërmjetësit nga Katari po punojnë për një projektmarrëveshje që synon të parandalojë rifillimin e luftimeve dhe të lehtësojë negociatat e drejtpërdrejta mes SHBA-së dhe Iranit. Ndërkohë, drejtori i CIA-s John Ratcliffe, sekretari i Thesarit, Scott Bessent dhe këshilltarë të tjerë mbështesin vazhdimin e bllokadës dhe presionit ekonomik për t’u dhënë më shumë kohë që të japin rezultate.
Disa zyrtarë të tjerë kanë kërkuar sulme të reja ushtarake të pasuara nga negociatat ndërsa të tjerë kanë mbështetur përfundimin gradual të fushatës. Përçarjet e lënë Trumpin përballë presioneve ushtarake, diplomatike dhe politike ndërsa demokratët përgatiten të marrin kontrollin e Kongresit në janar.




