Admirali i NATO-s shprehet i shqetësuar me sasinë e armatimit të konfiskuar në veri

Mjedis të sigurt ka premtuar admirali i NATO-s, Stuart Munsch, se do të ofrojë KFOR-i. Pas ndërrimit të komandës së këtij misioni, ceremoni në të cilën mori pjesë, Munsch tha se rritja e pranisë në Kosovë, është duke shkuar në këtë drejtim. Ai është shprehur i shqetësuar me sasinë e armatimit të konfiskuar në Banjskë të Zveçanit.

Të tensionuar, e ka vlerësuar situatën në veri komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, Stuart Munsch.

Në një deklarim për media, pas ndërrimit të komandës së KFOR-it, admirali Munsch, ka theksuar rritjen e trupave ushtarake në Kosovë e sjelljen e armatimit të rënd për të ofruar siguri.

“Nuk është një mjedis i mirë por KFOR-i është këtu për të rritur kapacitetin e saj në mënyrë që të jetë në gjendje të sigurojë mjedis të sigurt. Ne kemi nevojë për diplomaci, bisedime për tu marrë me këtë çështje, me i ulë tensionet dhe me sjellë një zgjidhje”, ka theksuar ai.

Ai u ka bërë thirrje palëve që të heqin dorë nga sjelljet provokative e agresore ndaj njëra-tjetrës.

Admirali Stuart Munsch e ka konsideruar shqetësuese futjen e armatimit në Kosovë në vlerë mbi 5 milionë euro, që u konfiskua nga policia pas sulmit të serbëve në Banjskë më 24 shtator. Ka përsëritur se KFOR-i mbetet reaguesi i tretë, kurse e para, Policia.

“Fakti që sasia e armatimit që erdhi është mjaft shqetësues, dhe siç e shpjegova, kjo ka rezultuar në dislokimin e trupave shtesë për KFOR-in dhe armatim më të rëndë për t’u mbrojtur dhe për të krijuar një mjedis të qetë dhe të sigurt në zonë. Tani, këtu ka elementë ku mosbesimi është i thellë, por KFOR-i është entiteti më i besuar në rajon. Dhe kjo është e rëndësishme që ata të mbeten të paanshëm dhe veprimet e tyre t’i çojnë përpara”, është shprehu ai.

Në sulmin e paramilitarëve serbë ndaj policisë, u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Pas kësaj, NATO dërgoi trupa shtesë në Kosovë.