Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë:
“Ibrahimi do ta takojë të atin e tij, Azerin, në Ditën e Kiametit, dhe në fytyrën e Azerit do të ketë errësirë dhe pluhur. Ibrahimi do t’i thotë: A nuk të pata thënë që të mos më kundërshtosh? Ai (Azeri) do t’i përgjigjet: Sot nuk do të të kundërshtoj. Ibrahimi do të thotë: O Zoti im, Ti më ke premtuar se nuk do të më turpërosh në Ditën kur do të ringjallen njerëzit, e çfarë turpi më të madh mund të ketë se babai im i larguar nga mëshira Jote? Allahu i Lartmadhëruar do të thotë: Unë e kam ndaluar Xhenetin për jobesimtarët. Pastaj do t’i thuhet: O Ibrahim, çfarë ke nën këmbët e tua? Ai do të shikojë një mashkull hiene të përlyer me papastërti. Ai (mashkulli i hienes) do të merret prej këmbëve të tij dhe do të hidhet në zjarr.”[1]
Shpjegimi i hadithit:
Ky hadith përshkruan një moment tronditës të Ditës së Kiametit: takimin e Ibrahimit (a.s) me të atin e tij jobesimtar, Azerin. Në atë Ditë, fytyra e Azerit është e mbushur me errësirë dhe pluhur që tregon poshtërim dhe frikë. Ibrahimi (a.s) i drejtohet babait të tij me fjalët që i kishte thënë edhe në dynja: “A nuk të pata thënë të mos më kundërshtosh?”. Babai, i dorëzuar dhe i shtypur nga tmerri i asaj Dite, i përgjigjet: “Sot nuk do të të kundërshtoj.”
Këtu shfaqet dhimbja dhe keqardhja e të birit për të atin, por realiteti është se pendimi në Ditën e Gjykimit nuk pranohet më. Më pas, Ibrahimi (a.s) i drejtohet Allahut me lutje: “O Zoti im, Ti më ke premtuar se nuk do të më turpërosh në Ditën kur do të ringjallen njerëzit, e çfarë turpi më të madh mund të ketë se babai im i larguar nga mëshira Jote?” Kjo tregon natyrën e tij të butë dhe zemrën e tij të pastër që nuk duron t’i shohë të afërmit e tij të ndëshkuar.
Allahu i përgjigjet me një parim të qartë: Xheneti është i ndaluar për jobesimtarët. Ky është një vendim absolut, i bazuar në drejtësi hyjnore dhe jo në lidhje familjare. Pastaj Allahu e shndërron Azerin në një formë tjetër: një mashkull hiene, i përlyer me papastërti. Ky shndërrim është një lloj mbrojtjeje hyjnore për Ibrahimin (a.s): ai nuk do ta shohë më babain e tij në formën njerëzore, dhe kështu dhimbja do t’i lehtësohet. Krijesa merret nga këmbët e Ibrahimit (a.s) dhe hidhet në zjarr. Kjo do të thotë se babai i tij, i cili në dynja zgjodhi të ishte mosbesimtar e idhujtar do të ndëshkohet përjetësisht në Zjarr, por zemra e Ibrahimit (a.s) – në këtë rast – nuk copëtohet për shkak se ai nuk e shikon babain e tij në formën e njeriut.
Ky hadith na mëson diçka njerëzore: që është se edhe njerëzit më të mirë kanë përjetuar dhimbje, si dhimbja e të afërmve të tyre që nuk besuan. Ky hadith është një ngushëllim për këdo që mundohet t’i thërrasë familjarët e tij në rrugën e drejtë. Por gjithashtu është një paralajmërim se: askush nuk shpëton për shkak të lidhjes familjare, pozitës apo afërsisë me njerëz të mirë, gjërat që e shpëtojnë njeriun janë vetëm besimi dhe vepra e mirë.
Pra, hadithi është një kombinim i butësisë së Ibrahimit (a.s), drejtësisë së Allahut dhe realitetit të Ditës së Gjykimit, ku secili do të përgjigjet për veten e tij.
Mësimet e nxjerra nga hadithi:
1 – Besimi është kriteri i shpëtimit, jo lidhja familjare.
2 – Pendimi në Ditën e Gjykimit nuk pranohet, edhe nëse njeriu shpreh nënshtrim dhe e pranon gabimin, ashtu siç tha Azeri: “Sot nuk do të të kundërshtoj.”
3 – Dënimi i jobesimtarit është i pashmangshëm, edhe nëse ai është i afërm i një profeti.
4 – Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë: Ai i kombinon drejtësinë e shpërblimit e dënimit me mëshirën ndaj profetëve për t’u ruajtur emocionet e tyre.
5 – Njeriu është përgjegjës vetëm për veten, edhe pse mund të ketë qenë i rrethuar nga njerëz të devotshëm.
6 – Dënimi i jobesimtarit është i drejtë, jo arbitrar; ai vjen si pasojë e zgjedhjeve të tij në dynja.
7 – Ibrahimi (a.s) paraqet modelin e thirrësit të sinqertë: ai e këshilloi babanë e tij në dynja dhe shfaqi dhembshuri edhe në Ahiret.
8 – Zemra e thirrësit duhet të jetë e butë, por duhet të kuptojë se udhëzimi është në dorën e Allahut.
9 – Hadithi është paralajmërim për prindërit dhe fëmijët: nuk mjafton dashuria familjare, por duhet ta thërrasim njëri-tjetrin kah e vërteta.
Këshilla praktike:
1 – Rregullo besimin tënd para çdo gjëje tjetër. Lidhjet, statusi, pasuria, suksesi, asgjë nuk të bën dobi nëse besimi nuk është i pastër dhe i qëndrueshëm.
2 – Lutu dhe puno që familja jote të jetë në udhëzim.
3 – Pranoje drejtësinë hyjnore ashtu siç është. Allahu është Mëshirues, por edhe i Drejtë. Prano rregullat e Tij, edhe kur zemra emocionohet.
4 – Jeto me përgjegjësi personale. Çdo njeri do të dalë i vetëm para Allahut. Mos u fsheh pas traditës familjare apo shoqërisë!
5 – Mos e nënvlerëso këshillën!
6 – Mbaji pritshmëritë reale kur thërret dikë. Edhe profetët nuk i udhëzuan të gjithë të afërmit e tyre. Ti bëj punën tënde, kurse udhëzimi është në dorën e Allahut.
7 – Lutu që Allahu të mos të të turpërojë në Ditën e Gjykimit. Kjo është një nga dhuratat më të mëdha.
8 – Kupto se sprova më e madhe është humbja e besimit. Kjo është shumë më e rëndë sesa çdo dënim tjetër.
Autor: Elton Harxhi
[1] – Buhariu (3350).








