Afganistan, talebanët ia dorëzojnë EBA-së operimin e shërbimeve të sigurisë së aeroporteve

Qeveria e përkohshme e talebanëve nënshkroi një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për shërbimet e sigurisë së 4 aeroporteve në Afganistan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën nga Ministria e Transportit dhe Aviacionit të qeverisë së përkohshme talebane thuhet se shërbimet e sigurisë të aeroporteve të Kabulit, Heratit, Kandaharit dhe Mazar-i-Sharif iu transferuan kompanisë së EBA-së (GAAC/G42) me një ceremoni të mbajtur në kryeqytetin Kabul.

Marrëveshja do të sigurojë dhe rrisë sigurinë e fluturimeve të linjave ajrore ndërkombëtare dhe lokale, thuhet në deklaratë.

Më tej theksohet se të gjitha linjat ajrore do të jenë të siguruara dhe të garantuara sipas kësaj marrëveshjeje.

– Shërbimet tokësore iu dhanë gjithashtu EBA-së

Më 24 maj operimi i shërbimeve tokësore në aeroportet e Kabulit, Heratit dhe Kandaharit iu transferua kompanisë së EBA-së (GAAC/G42).

Operimi i aeroportit të rëndësishëm strategjik të Kabulit “Hamid Karzai” dhe aeroporteve të tjera në Afganistan doli në plan të parë pasi talebanët morën pushtetin në gusht.

Edhe pse Aeroporti i Kabulit është i hapur për fluturime të brendshme dhe ndërkombëtare, shumica e kompanive ndërkombëtare që kanë fluturuar më parë në Kabul ende nuk i kanë kthyer fluturimet e tyre në normalitet.

EBA-ja ka bashkëpunuar në funksionimin e disa zonave të aeroporteve në Afganistan gjatë administratës së mëparshme. /aa