Allahu i Lartësuar e ka ligjëruar agjërimin që të jetë një shkollë madhore për edukimin dhe pastrimin e shpirtit; ai nuk është thjesht një privim i përkohshëm material nga ushqimi dhe pija, por është një proces i madh shkëputjeje të shpirtit nga të zakonshmet e tij, një frenim i dëshirave dhe një ndalim nga shprehitë e ulëta.
Filozofia e thellë e agjërimit qëndron në faktin se ai është stërvitje për zotërim: zotërim i shpirtit mbi trupin dhe zotërim i vullnetit mbi instinktin. Në këtë fushë, edhe të pasurit e shijojnë veshjen e urisë – jo për t’u munduar, por për të njohur vlerën e mirësive të shumta të Allahut mbi ta – kështu që njohja e thatë shndërrohet në një ndjenjë të gjallë njerëzore, që i shtyn drejt solidarizimit me të varfrit dhe bamirësisë ndaj nevojtarëve.
Ndër shprehjet më të bukura dhe më të thella që përshkruajnë realitetin dhe funksionin e agjërimit është ajo fjalë e përmbledhur profetike, të cilën e transmeton Ebu Hurejra nga Pejgamberi (a,s): “Agjërimi është mburojë.”
Mrekullia e shprehjes profetike dhe shumëllojshmëria e transmetimeve
Kjo shprehje nuk është thjesht një krahasim retorik, por është një ligj i plotë parandalues. Hadithi fisnik ka ardhur në disa transmetime, secili prej tyre hap një dritare të re mbi kuptimin e “mburojës”:
1- Transmetimi i përgjithshëm: “Agjërimi është mburojë.” Këtu kuptimi ka ardhur i përgjithshëm, duke përfshirë mbrojtjen nga dëshirat në këtë botë, ruajtjen e robit nga rënia në humnerën e mëkateve dhe strehimin e tij nga dënimi i botës tjetër.
2- “Agjërimi është mburojë nga zjarri, si mburoja e ndonjërit prej jush në luftë.” Në këtë transmetim bëhet një lidhje e mahnitshme midis agjërimit dhe parzmores që mbron luftëtarin në mes të betejës; jeta është një fushëbetejë, shejtani është armiku dhe agjërimi është arma më e fuqishme mbrojtëse.
3- “Agjërimi është mburojë me të cilën robi mbrohet nga zjarri.” Pra, ai strehohet me të dhe fshihet nën hijen e saj nga flaka e Xhehenemit.
4- “Agjërimi është mburojë, përderisa nuk e shpon atë.” Ky është një transmetim me dimension të theksuar edukativ, që sqaron se kjo mbrojtje nuk është automatike; ajo është një dhuratë e kushtëzuar me ruajtjen e gjuhës dhe sjelljes. Përgojimi, fjalët e turpshme dhe zhurma e ashpër janë çarje në mburojën e agjëruesit, që e zbehin ose e prishin efektin e saj.
Analiza gjuhësore… fikhu i mbulimit dhe i mbrojtjes
Fjala “xhunneh” (me damme në shkronjën xhim) rrjedh nga rrënja gjuhësore “xh-n-n”, një rrënjë që në arabisht sillet rreth kuptimeve të mbulimit, mbrojtjes dhe fshehjes. Nga kjo rrënjë janë degëzuar fjalë që japin një tablo të plotë të këtij koncepti:
Xhennet (me fet’ha në xhim): është quajtur kështu sepse pemët e dendura e mbulojnë me hijen e tyre atë që gjendet brenda saj.
Xhinët: janë quajtur kështu sepse janë të fshehur nga sytë e njerëzve.
Xhenini: për shkak se është i fshehur në errësirën e mitrës.
Mijxhen (mburoja): është parzmorja që luftëtari mban për të mbrojtur trupin nga goditjet e shpatave dhe shigjetat e armikut.
Vërehet se Kurani Fisnik e ka përdorur fjalën “xhunneh” në kontekst qortues kur i përshkroi hipokritët: “I morën betimet e tyre si mburojë”[1] domethënë e morën betimin e rremë si një perde pas së cilës fshehën mohimin dhe dëmtimin e besimtarëve.
Ndërsa Pejgamberi (a,s) e përdori këtë fjalë në kontekst lavdërues, gjë që thekson se vlera e mbulimit merr ngjyrimin e saj nga qëllimi për të cilin përdoret: mbulimi i mohimit është hipokrizi, ndërsa mbrojtja e vetes nga mëkati është iman.
Studimi retorik dhe estetik i hadithit
Gjenialiteti i Pejgamberit (a,s) shfaqet qartë në përzgjedhjen pikërisht të këtij termi, dhe kjo mund të vërehet në disa pika:
1- Forca e fjalisë emërore: Shprehja “Agjërimi është mburojë” tregon qëndrueshmëri dhe vazhdimësi; sikur mbrojtja të ishte një cilësi thelbësore dhe e pandarë nga agjërimi, jo një gjendje e përkohshme që mbaron me përfundimin e ditës.
2- Veçantia e termit: Pse “mburojë” (xhunneh) dhe jo “kështjellë” apo “mbrojtje”? Sepse “mburoja” në ndërgjegjen arabe lidhet drejtpërdrejt me fushën e betejës. Ndërsa agjërimi, në thelb, është një betejë e brendshme me veten dhe me shejtanin; kështu, fjala zgjon gjendjen e gatishmërisë luftarake.
3- Retorika e përdorimit në trajtë të pacaktuar: Fjala “mburojë” ka ardhur në trajtë të pacaktuar për të treguar madhështinë dhe përgjithësinë; është një mbrojtje, përmasat e së cilës nuk përkufizohen lehtë. Ajo përfshin frenimin e instinktit, rivendosjen e ekuilibrit shpirtëror dhe shpëtimin nga zjarri.
4- Metafora e drejtpërdrejtë: Hadithi e ka zhvendosur figurën nga fusha materiale (lufta) në fushën shpirtërore (pastrimi i vetes). Agjëruesi paraqitet si një luftëtar; çdo dëshirë e shfrenuar është një shigjetë, çdo fjalë e pahijshme është një goditje, dhe ruajtja e “mburojës” së paprekur do të thotë fitorja e luftëtarit në betejën e pastrimit shpirtëror.
Efekti edukativ dhe ndërtimi moral i agjëruesit
Agjërimi është një proces rikalibrimi i personalitetit njerëzor; njeriu që ka vullnetin të përmbahet nga e lejuara e pastër (ushqimi dhe pija), në bindje ndaj Allahut, ndërton brenda vetes një “muskuj” të fuqishëm vullneti, që e bën më të aftë të përmbahet nga e ndaluara.
Fortifikimi i shpirtit: Ai është mbrojtje e shpirtit nga sundimi i materies dhe thyerje e mprehtësisë së dëshirave që e robërojnë njeriun.
Ndërmjetësimi dhe shpërblimi: Agjërimi nuk mjaftohet me mbrojtjen e robit në këtë botë, por efekti i tij shtrihet deri në Ditën e Kiametit, duke qenë ndërmjetës për të zotin e tij. Siç ka thënë poeti:
Agjërimi është mbulesë për të gjithë njerëzit e mirë, që i frikësohen mëkateve dhe turpit.
Mbrojtja shoqërore dhe siguria e komuniteteve
Efekti i “mburojës” nuk kufizohet vetëm tek individi, por shtrihet në mbarë shoqërinë; agjëruesi që i përmbahet etikës së agjërimit – “të mos flasë fjalë të pahijshme dhe të mos bërtasë” – e mbron shoqërinë nga e keqja e vetes dhe e gjuhës së tij.
Është një mbrojtje e dyfishtë: mbrojtje e njeriut nga e keqja e brendshme dhe mbrojtje e njerëzve nga reagimet e tij. Kështu, agjërimi shndërrohet nga një adhurim individual në një ombrellë sigurie morale që mbulon shoqërinë, ku mbizotëron durimi, frenohet nervozizmi dhe zhduket dëmtimi.
Shfaqet qartë gjenialiteti i udhëzimit profetik në këtë ndërtim të përmbledhur, të ngritur mbi një fjalë të vetme: “mburojë”. Ajo është një e vërtetë gjuhësore, retorike, edukative dhe shoqërore njëkohësisht.
Pejgamberi (a,s) e zhvendosi agjërimin nga një koncept negativ (përmbajtje) në një koncept pozitiv e aktiv (mburojë dhe fortifikim). Agjërimi i sinqertë është mburoja që mbron trupin nga dobësimi, shpirtin nga shthurja dhe robin nga zemërimi i Allahut.
O Allah, bëje agjërimin tonë mburojë të fortë, mbulesë të bukur dhe shkak për të fituar kënaqësinë Tënde
Autor: Hatixhe el Akidi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Munafikun: 2.








