Në Islam, qëndrueshmëria është një nga cilësitë më të rëndësishme të besimtarit dhe lidhet ngushtë me agjërimin.
Qëndrueshmëria e ka kuptimin e durimit, përkushtimit dhe vetëpërmbajtjes në përballje me sprovat, tundimet dhe vështirësitë e jetës.
Agjërimi e rregullon vetëkontrollin, e forcon besimin, dhe e forcon besimtarin karshi sprovave të jetës.
Në përgjithësi, qëndrueshmëria dhe agjërimi janë të ndërlidhura sepse të dyja kërkojnë vetëdisiplinë, përkushtim dhe një besim të fortë në Allahun e Madhëruar.
Agjërimi është një betejë e heshtur mes trupit dhe shpirtit, një përqafim i durimit dhe devotshmërisë.
Kur uria të prek, zemra bëhet më e butë, lutjet më të sinqerta, dhe shpirti më i afërt me Zotin.
Agjërimi është një stërvitje e vetëkontrollit, një përballje mes impulsit dhe vullnetit.
Trupi kërkon, mendja refuzon, dhe shpirti fuqizohet.
Me çdo orë të kaluar, durimi forcohet, toleranca rritet, dhe ndërgjegjja bëhet më e qartë.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
“O ju që besuat! U është bërë obligim agjërimi, ashtu siç ishte obligim për ata para jush, që të bëheni të devotshëm.”
( El-Bekare:183)
Ky ajet na tregon se qëllimi i agjërimit nuk është vetëm privimi nga ushqimi dhe pija, por arritja e devotshmërisë, e cila forcohet përmes durimit dhe vetëkontrollit.
Po ashtu Muhamedi alejhi selam ka thënë:
“Agjërimi është gjysma e durimit.”
(Ibn Maxhe, 1745).
Si përfundim mund të themi se:
Agjërimi praktikisht na bënë të fortë e të qëndrueshëm, e lum e lum për ata që janë të fortë e të qëndrueshëm në rrugën e drejtë.
Hoxhë Sadik Avdiu







