Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ahmadinejad, spiun i Mossad-it? Pse nuk bind investigimi i NYT

Ahmadinejad, spiun i Mossad-it? Pse nuk bind investigimi i NYT

Pretendimet, më shumë si një thriller spiunazhi se sa si një operacion i besueshëm inteligjence

Investigimi i publikuar më 13 korrik nga New York Times mbi pretendimin se Mossadi kishte tentuar të rekrutonte ish-presidentin iranian Mahmoud Ahmadinejad për ta vendosur më pas në krye të Iranit është, pa dyshim, tërheqës.

Por nëse është edhe i besueshëm, kjo është një çështje krejt tjetër. Sipas artikullit të bujshëm, operacioni arriti kulmin gjatë konfliktit të këtij viti, kur një sulm izraelit në Teheran goditi objektin ku ndodheshin truprojat – ose më saktë, njerëzit që e mbanin nën mbikëqyrje – të Ahmadinejadit.

Kjo u dha mundësi agjentëve të Mossadit ta nxirrnin nga rezidenca dhe ta dërgonin në një strehë të sigurt. Më pas, sipas këtij versioni, ai humbi sepse nuk u besonte më izraelitëve.

Por një skenar i tillë është vështirë të pranohet: nëse Mossadi e kishte nën kontroll, pse do ta linte të largohej? Nëse e humbi, atëherë do të kishte treguar një paaftësi të pazakontë.

Pavarësisht detajeve të shumta dhe referencave ndaj burimeve të inteligjencës, historia ngre një sërë pikëpyetjesh.

Para së gjithash, ajo duket e ndërtuar për një audiencë amerikane dhe ka më shumë ngjashmëri me një film spiunazhi hollivudian sesa me një operacion real inteligjence.

Nuk është rastësi që zyra e Ahmadinejadit e hodhi poshtë menjëherë, duke e cilësuar si një “histori filmi”. Nuk bind as mënyra e pretenduar e rekrutimit. Sipas New York Times, kontaktet nisën në vitin 2022 dhe vazhduan me takime në Budapest, të maskuara si konferenca akademike në Universitetin Ludovika.

Madje thuhet se Ahmadinejadi u takua dy herë personalisht me kreun e atëhershëm të Mossadit, David Barnea. Për një operacion kaq delikat, kjo duket tepër e rrezikshme.

Edhe objektivi i operacionit ngjall jo pak dyshime. Kush e njeh sistemin politik iranian e di se presidenti nuk është qendra e pushtetit. Vendimet strategjike merren nga Udhëheqësi Suprem, Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare dhe Garda Revolucionare (IRGC).

Nëse Mossadi do të synonte të depërtonte në zemër të regjimit, do të kishte më shumë logjikë të synonte një këshilltar të Udhëheqësit Suprem ose një komandant të lartë të IRGC-së sesa një ish-president.

Edhe zgjedhja e Budapestit si vend takimesh ngre pikëpyetje. Ndonëse Mossadi gëzon liri të konsiderueshme veprimi në Hungari, është e vështirë të besohet se një operacion i këtij niveli do të zhvillohej me një ekspozim kaq të madh, aq më tepër me praninë personale të kreut të shërbimit sekret izraelit.

Operacione të tilla përgatiten me vite, dhe periudha 2022–2026 duket tepër e shkurtër. Prandaj publikimi i kësaj historie duhet parë edhe në kontekstin e përplasjeve brenda aparatit izraelit të sigurisë.

Rivaliteti mes Mossadit dhe inteligjencës ushtarake, tensionet e brendshme në vetë Mossadin dhe emërimi i drejtorit të ri, Roman Gofman, mund ta shpjegojnë rrjedhjen e informacionit.

Nuk përjashtohet që ajo të jetë pjesë e një lufte të brendshme për ndikim, më shumë sesa zbulim i një operacioni të vërtetë.

Sipas disa burimeve, drejtues të inteligjencës ushtarake izraelite e kishin konsideruar planin të parealizueshëm që në fillim. Ata nuk besonin se lufta do të sillte rrëzimin e regjimit iranian dhe e shihnin si iluzion idenë se mund të kontrollohej procesi politik pasues.

Madje ekzistonte frika se rrëzimi i regjimit do të sillte në pushtet një juntë ushtarake të Gardës Revolucionare, edhe më radikale se udhëheqja aktuale.

Pastaj s’duhet anashkaluar një tjetër element. Nëse inteligjenca e Gardës Revolucionare do të kishte prova se Ahmadinejadi kishte pasur kontakte me Mossadin, ai me shumë gjasa do të ishte eliminuar në heshtje.

Përkundrazi, atij iu lejua të merrte pjesë në ceremonitë madhështore mortore të Ali Khameneit, çka sugjeron se regjimi nuk e konsideron tradhtar.

Megjithatë, nëse do ta pranonim si të vërtetë këtë histori, atëherë duhet të pranonim edhe një hipotezë tjetër: se rekrutimi i Ahmadinejadit mund të ketë filluar shumë përpara se ai të bëhej president.

Operacione të tilla kërkojnë vite përgatitjeje, analiza të hollësishme psikologjike dhe mbledhje sistematike informacioni – fusha ku Mossadi njihet për aftësitë e tij.

Në fund të fundit, Ahmadinejadi ishte presidenti që, me deklaratat e tij provokuese për Holokaustin dhe Izraelin, kontribuoi më shumë se kushdo tjetër në forcimin e narrativës ndërkombëtare që e paraqiste Iranin si një kërcënim ekzistencial.

Nëse kjo ishte rastësi apo pjesë e një loje shumë më të thellë, mbetet një pyetje e hapur. \tesheshi