Në lidhje me këtë çështje, dijetarët kanë dhënë mendime të shumta, pra për ajetin apo suren që është shpallur e fundit. Ne do të përmendim katër mendimet më të rëndësishme:
Mendimi i parë: Ajeti që është shpallur i fundit, është ajeti 281 i sures Bekare: “Dhe ruajuni asaj Dite, që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi”.Ibn Abasi (r.a) thotë, se ky ajet i është shpallur të Dërguarit të Allahut (a.s) nëntë net, para se ai të ndërronte jetë.
Mendimi i dytë: Ajeti që është shpallur i fundit, është ajeti 278 i sures Bekare: “O ju që keni besuar! Kijeni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë”. Ky njihet ndryshe si ajeti që ndalon kamatën. Ibn Abasi (r.a) thotë, se ajeti i fundit i shpallur është ajeti që flet për kamatën.
Mendimi i tretë: Ajeti që është shpallur i fundit, është ajeti 176 i sures Nisa: “Ata kërkojnë nga ti (Muhamed) gjykim për Kelalen (atë që vdes pa pasur trashëgimtarë)”
Berra ibn Azib (r.a) thotë: “Ajeti i fundi i shpallur është ajeti i Kelales (ajeti 176 i sures Nisa), ndërsa surja e fundit e shpallur është surja Bera`e (Teube)”.
Mendimi i katërt: Ajeti që është shpallur i fundit, është ajeti 128 i sures Teube: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga mesi juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju”. Ubej ibn Kabi (r.a) thotë, se ky është ajeti i fundit që është shpallur.
Përsa i përket sureve që janë shpallur të fundit, dijetarët kanë dhënë dy mendime kryesore:
1 – Surja Maide. Aishja (r.a) thotë: “Surja e fundit e shpallur është surja Maide. Atë që e gjeni të lejuar në këtë sure, zbatojeni”.
2 – Surja Nasr. Ibn Abasi (r.a) thotë, se surja e fundit e shpallur është surja Nasr.
Kadi Ebu Bekr ibnu`l-Arabiu thotë: “Të gjitha këto fjalë dhe mendime nuk janë të bazuara në ndonjë fjalë të të Dërguarit të Allahut (a.s), por ato janë mendime apo konkluzione të dijetarëve, apo ata i kanë menduar këto konkluzione si më të drejtat. Ka shumë mundësi, që çdo sahabi të ketë treguar atë që ka dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (a.s) në ditët e fundit të jetës së tij (a.s) – apo para kësaj kohe -, ndërsa të tjerë e kanë dëgjuar prej këtyre sahabëve, megjithëse nuk e kanë dëgjuar vetë nga i Dërguari i Allahut (a.s). Ka të ngjarë, që këto të jenë ajetet e fundit, që ka lexuar i Dërguari i Allahut (a.s) dhe ai që i ka dëgjuar, ka menduar se këto janë ajetet e fundit të shpallura. Po ashtu ka mundësi, që ai (a.s) të ketë urdhëruar, që të shkruhet ajeti (sipas një renditje të caktuar) dhe ai që e ka shkruar atë sipas kësaj renditjeje, ka menduar se ky ajet është shpallur i fundit.
Më lart u përmend edhe mendimi i Ubej ibn Kabit (r.a), sipas të cilit surja e fundit e shpallur është surja Teube. Ndoshta mendimi i parë është mendimi më i drejtë.
Autor: Rushit Musallari
Ardhmëriaonline.com







