Ajetet dhe suret e para që janë shpallur

Dijetarët kanë disa mendime, përsa i përket sures apo ajetit të parë të shpallur:

Mendimi i parë: Pjesa e parë e shpallur nga Kurani janë 5 ajetet e para të sures Alak: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka). E krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili e mësoi njeriun të shkruajë me penë, ia mësoi atij atë që nuk e dinte”[1].

Argument për këtë është hadithi, ku Aishja (r.a) tregon: “Endrra e vërtetë ka qenë tregues i zbulesës/shpalljes tek i Dërguari i Allahut (a.s). Sa herë që shikonte një ëndërr, ajo realizohej si drita e agimit. Më pas filloi t`i pëlqente vetmia. Ai izolohej në shpellën Hira dhe për disa net bënte adhurim (meditonte). Ai (a.s) merrte ushqim me vete për kohën që do të qëndronte në shpellë. Më pas kthehej tek Hadixhja (r.a), merrte furnizimin e nevojshëm dhe shkonte përsëri në shpellë. I Dërguari i Allahut (a.s) vazhdoi të vepronte kështu, derisa i erdhi e vërteta, pikërisht aty tek shpella Hira. I Dërguari i Allahut (a.s) na tha: “Engjëlli erdhi dhe më tha: “Lexo”. Unë iu përgjigja: “Unë nuk di të lexoj”. Ai më kapi dhe më shtrëngoi, aq sa u ndjeva keq, pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo”. Unë iu përgjigja përsëri: “Unë nuk di të lexoj”. Ai më kapi përsëri dhe më shtrëngoi, aq sa u ndjeva përsëri keq. Më pas më lëshoi dhe më tha: “Lexo”. Unë i thashë: “Unë nuk di të lexoj”. Ai më kapi edhe një herë tjetër, më shtrëngoi, pastaj më lëshoi dhe më pas më tha: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka). E krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili e mësoi njeriun të shkruajë me penë, ia mësoi atij atë që nuk e dinte”[2]

Aishja (r.a) thotë: “Surja e parë e shpallur nga Kurani është surja Alak”[3]

Mendimi i dytë: Pjesa e parë e shpallur nga Kurani është surja “Mudethir”.

Ithtarët e këtij mendimi e argumentojnë këtë me hadithin e Ebu Selemeh ibn Abdurrahmanit, i cili ka thënë: “E pyeta Xhabir ibn Abdullahun (r.a): “Cila pjesë e Kuranit është shpallur e para”? Ai më tha: “Surja Mudethir”. Unë i thashë: “Mos është surja Alak”. Ai më tha: “Do t`iu tregoj atë që më ka treguar i Dërguari i Allahut (a.s): “Unë qëndrova për një kohë në shpellën Hira. Pasi mbarova qëndrimin, dola. Kur zbrita në luginë, pashë para dhe pas, djathtas dhe majtas. Më pas pashë në qiell, kur ç`të shikoja, ishte ai (Xhibrili). Fillova të dridhem. Shkova në shtëpi tek Hadixhja dhe i thashë të më mbulonte. Allahu më shpalli: “O ti imbuluar! Ngrihu dhe paralajmëro”[4]

Lind pyetja: “Cili është mendimi më i drejtë”? Nuk ka dyshim, se mendimi i parë është mendimi më i drejtë. Në lidhje me hadithin e Xhabirit (r.a), imam Sujuti jep këto përgjigje:

1 – Xhabiri (r.a) është pyetur për suren e plotë dhe jo për pjesën e parë që është shpallur. Vetë fakti se Profeti (a.s) e ka parë Xhibrilin (a.s) jashtë shpellës është tregues, se ishte hera e dytë që po e shikonte Xhibrilin (a.s), sepse herën e parë e kishte parë atë brenda në shpellë, ndërsa surja Mudethir është shpallur pas një periudhe të caktuar kohore, ku shpallja u ndërpre.

2 – Këtu kemi të bëjmë me një rifillim të shpalljes dhe jo me shpallje fillestare, pasi shpallja e parë ishte zbritja e 5 ajeteve të para të sures Alak.

3 – Fjala është për urdhërin e parë që i jepet Muhamedit si i Dërguar i Allahut (a.s), ku urdhërohet të paralajmërojë popullin e tij.

4 – Kjo sure (Mudethir) është shpallur për një shkak të caktuar. I Dërguari I Allahut (a.s) shkoi në shtëpi i frikësuar dhe u mbulua. Atëherë u shpall surja Mudethir, ndërsa surja Alak nuk është shpallur për ndonjë shkak të caktuar.

5 – Ky është mendimi i Xhabirit (r.a), i cili e përcakton vetë, se kjo është surja e parë, ndërsa Aishja (r.a) e përshkruan transmetimin e saj si përjetim të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), madje thotë se vetë ai (a.s) e ka rrëfyer këtë ngjarje.

Mendimi i tretë: Pjesa e parë e shpallur nga Kurani është surja Fatiha, mirëpo hadithi që transmetohet për këtë gjë, nuk i plotëson kushtet për të qenë hadith i vërtetë.

Mendimi i katërt: Pjesa e parë e shpallur nga Kurani është fjala “Bismilahir`rrahmanirr`rrahim”, mirëpo argumenti që flet për këtë gjë, nuk është në gradën e hadithit të Aishes (r.a) dhe Xhabirit (r.a), prandaj nuk merret për bazë.

Autor: Rushit Musallari

[1] – Sure Alak: 1-5.

[2] – Buhariu (3) dhe Muslimi (160)

[3] – Hakimi (2873). Hadithi është Sahih.

[4] – Buhariu (4) dhe Muslimi (161).