Në botën e sistemeve, nuk ka ndonjë parim që mund të ngrihet më lart se “sovraniteti”. Që nga koha kur Zhan Bodeni shkroi librin e tij “Republika” dhe foli në të për sovranitetin si një parim themelor, kombet kanë nisur ta hapin kushtetutën e tyre me këtë parim të rrezikshëm që përcakton identitetin e vendit. Edhe ata që kanë folur për kontratën shoqërore, duke filluar nga Thomas Hobbes, duke kaluar te John Locke, dhe përfunduar te Jean-Jacques Rousseau, secili prej tyre e kishte vëmendjen te sovraniteti: ku do ta vendoste atë?
I pari (Hobbes) e vendosi në dorën e mbretit, për t’u çliruar nga dualizmi i besnikërisë së ndarë mes kishës dhe pallatit.
I dyti (Locke) ia ndau atë mbretit dhe parlamentit, për ta ndarë edhe pushtetin.
Ndërsa i treti (Rousseau) ia dha tërësisht kombit dhe vetëm atij.
Por në sistemin islam, sovraniteti i përket tërësisht Sheriatit të madhëruar. Kjo është një nga çështjet madhore të konsensusit dhe nga ato të vërteta të sigurta që janë të njohura në mënyrë të domosdoshme në fenë islame.
Dhe nëse Sureja Maide, e më herët edhe Sureja Nisa, janë kujdesur për të sqaruar këtë parim, atëherë ajo që shumëkush nuk e kupton është se Ajeti Kursij e ka paraprirë në thelb këtë konfirmim.
Cili është ajeti më madhështor në Librin e Allahut?
Është transmetuar nga imami Ahmed dhe të tjerë, nga Ubej bin Ka’b (r.a) se Profeti (a.s) e pyeti: “Cili është ajeti më madhështor në Librin e Allahut?” Ai u përgjigj: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.” Profeti (a.s) ia përsëriti disa herë pyetjen, derisa Ubeji tha: “Ajeti Kursij.” Profeti (a.s)i tha: “Urime për dijen o Ebu Mundhir!”
Qoftë i saktë hadithi apo jo – dhe unë besoj se është i saktë, sepse zinxhiri i transmetimit është i saktë dhe nuk bie ndesh me parimet themelore të fesë – kuptimi i tij përforcohet nga vetë përmbajtja madhështore e ajetit:
“Allahu! Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Tij, i Gjalli, i Përjetshmi. As dremitja e as gjumi nuk e zë Atë. Atij i përket çfarë ka në qiej dhe në tokë. Kush është ai që mund të ndërmjetësojë tek Ai pa lejen e Tij? Ai di çfarë është para tyre dhe çfarë është pas tyre, dhe ata nuk përfshijnë asgjë nga dijenia e Tij përveç asaj që Ai dëshiron. Froni i Tij përfshin qiejt dhe tokën, dhe ruajtja e tyre nuk e rëndon Atë aspak. Ai është më i Larti, më i Madhi.”[1]
Ky është Ajeti Kursij, ku përmendet “froni (kursij)”, simbol i sovranitetit, dhe ku shfaqen katër nga emrat më të bukur të Allahut: el-Hajj (i Gjalli), el-Kajjum (i Përjetshmi që mban gjithçka), el-A’la (i Larti), el-Adhim (i Madhërishmi), të gjithë këta emra mbartin kuptime të thella të sovranitetit absolut të Allahut.
Emri më i madh i Allahut dhe domethënia e vendosjes së tij në krye të ajetit:
Transmetohet nga Ebu Umeame (r.a): “Emri më i madh i Allahut, me të cilin kur Ai thirret, përgjigjet, gjendet në tre sure: Bekare, Ali Imran dhe Taha.”
Ky hadith është vlerësuar si i mirë (hasen) nga dijetarët në formën e tij të ndalur (maukuf), dhe ai nënkupton se emri më i madh i Allahut është “el-Hajj el-Kajjum” (i Gjalli, i Përjetshmi), sepse ai është përmendur në këto tri sure në mënyrë të qartë:
“Allahu, nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Tij, i Gjalli, i Përjetshmi, nuk e zë as dremitja, e as gjumi…”[2]
“Elif, Lam, Mim. Allahu – nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij – i Gjalli, i Përjetshmi”[3]
“Dhe do të përulen fytyrat para të Gjallit, të Përjetshmit…”[4]
Pra, kush e thërret Allahun me këto dy emra, lutja e tij pranohet, sepse një nga kuptimet e “el-Kajjum” është: Ai që ekziston vetë dhe gjithçka tjetër qëndron në ekzistencë nëpërmjet Tij. Nëse ky kuptim realizohet në zemrën e lutësit, ai do të ndjejë përulje dhe nevojë të plotë ndaj Allahut, gjendje kjo që e bën lutjen të pranueshme.
Por ajo që shumë njerëz e harrojnë është se “kujdestaria absolute” (el-kijameh) është ndër kuptimet kryesore të emrit “el-Kajjum”. Ai është “el-Kajjum” dhe “el-Kajjam”, që do të thotë: Ai që ka pushtet të plotë mbi krijesat, dhe prej Tij vjen ligjvënia që i detyron të gjithë.
Nëse e krahasojmë këtë me teorinë e Jean Bodin mbi sovranitetin – që është ende e përdorur sot – ku ai e përkufizoi sovranitetin si “e drejta ekskluzive për të nxjerrë ligje detyruese”, atëherë del qartë se vetëm sovraniteti hyjnor, përmes ligjvënies së Allahut, e meriton këtë përkufizim. Veçanërisht kur sovraniteti hyjnor karakterizohet me këto cilësi: unikalitet, lartësi, absolutizëm, autenticitet, dhe pamundësia për të gabuar.
Ndërsa emri “el-Hajj” (i Gjalli) është treguesi më i fortë për sovranitetin absolut të Allahut, sepse jeta e Tij është jeta e vërtetë, e cila mund të kuptohet vetëm nëpërmjet emrave të tjerë madhështorë të Tij: “El-Euuel (i Pari), El-Ahir (i Fundit), Edh-Dhahir (i Dukshmi), El-Batin (i Padukshmi)”, me gjithë përfshirjen e tyre gjithëpërfshirëse në ekzistencë.
Sa i përket emrave “el-Alijj” dhe “el-Adhijm” (i Larti, i Madhërishmi), nuk ka asgjë që tregon më qartë për sovranitetin dhe epërsinë sesa lartësia dhe madhështia.
Elementet kryesore të kuptimit të sovranitetit:
Nëse i futemi kuptimeve të brendshme të ajetit [Ajeti Kursij], do të gjejmë se ai është i mrekullueshëm në ndërtimin e tij dhe në thellësinë e domethënies që përçon rreth sovranitetit. Zotërimi i vërtetë (sovraniteti) mbi diçka buron nga katër aspekte:
1 – Pronësia e saj
2 – Kujdestaria dhe mbikëqyrja e vazhdueshme ndaj saj
3 – Dija gjithëpërfshirëse rreth saj
4 – Ruajtja dhe kujdesi i pandërprerë për të
Këto katër kuptime janë të përmendura në ajet në dy forma të përkryera: nëpërmjet pohimit dhe mohimit, të cilat e përforcojnë njëra-tjetrën. Ajeti përmban dhjetë fjali të pavarura, ku gjysma janë pohuese dhe gjysma mohime. Ai rrjedh në mënyrë harmonike nga fillimi në fund, duke ndërtuar kuptimin e sovranitetit në dy shtylla:
Shtylla e parë: Pohimi i atributeve të sovranitetit
Shtylla e dytë: Mohimi i çdo të mete ose mangësie që mund ta cenojë atë
Ky udhëtim kuptimor fillon me ngritjen më të fuqishme: “Allahu, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij”. Kjo është deklarata e teuhidit (njësimit të Zotit), dhe përbën platformën më të lartë të nisjes. Dhe përfundon me kulmin e lartësimit të Tij: “Dhe Ai është i Larti, i Madhërishmi”, ku shfaqet sovraniteti në nivelin më të lartë të lavdisë.
Si përforcohen elementët e sovranitetit:
Kujdestaria dhe ruajtja e gjithësisë përmblidhet në:“El-Hajj el-Kajjum” – i Gjalli, që gjithçka qëndron me Të. Kjo forcohet me mohimin: “Nuk e zë as gjumi, as përgjumja.”
Pronësia absolute konfirmohet me dy fjali: (Pohim): “E Tij është ç’ka në qiej dhe në tokë” (Mohim): “Kush mund të ndërmjetësojë te Ai pa lejen e Tij?” – kjo përjashton çdo të drejtë ndërhyrjeje të të tjerëve në zotërimin dhe urdhërimin e Tij. Kjo tregon për shkëputjen e plotë nga çdo ortakëri në zotërim dhe përjashton që dikush të ketë të drejtë të ndërhyjë në çështjet hyjnore, pa lejen e Tij.
Po ashtu, sikurse pronësia e plotë është prej kushteve të sovranitetit të përsosur, njësoj edhe dija gjithëpërfshirëse është pjesë e pandarë e saj. Këtë e ka përforcuar Kurani në këto dy fjali:
“Ai e di ç’kanë para vetes dhe ç’kanë pas vetes” Dhe mohohet e kundërta: “Ata nuk mund të përfshijnë asgjë nga dija e Tij, përveç asaj që Ai dëshiron.”
Pra, nga plotësia e dijes së Tij për çdo gjë, njeriu nuk mund të arrijë asgjë nga ajo dije, përveçse kur Ai vetë e lejon.
Dhe përderisa Froni i Tij përfshin qiejt dhe tokën, dhe përderisa pushteti i Tij e mbulon gjithë ekzistencën me madhështi hyjnore, dhe i jep çdo gjëje nga kujdesi dhe mbrojtja e Tij, atëherë:
Nuk e lodh ruajtja e tyre, nuk e rëndon, nuk e brengos, dhe as nuk e mundon.
Sovraniteti i Sheriatit të Lartësuar:
Pra, vetëm Allahu është zotëruesi i sovranitetit të vërtetë, i vetmi që ka të drejtën absolute për të urdhëruar e ndaluar, dhe për të nxjerrë ligje obligative . Sovraniteti i Tij karakterizohet nga cilësi të veçanta si: Njësia absolute, Lartësia, Pafundësia, Origjinaliteti, Përfshirja universale dhe Pagueshmëria.
Allahu është Ai që dhuron suksen në çdo gjë.
Autor: Atije Adlan
Përktheu: Elton harxhi
[1] – Sure Bekare: 255.
[2] – Sure Bekare: 255.
[3] – Sure Ali Imran: 1 – 2.
[4] – Sure Taha: 111.








