Aksident në magjistralen Gjakovë-Klinë, humb jetën 80 vjeçari

Një person rreth moshës 80 vjeçare ka ndërruar jetë dhe një tjetër është lënduar në një aksident trafiku i cili ka ndodhur sot rreth orës 12:00 në magjistralen Gjakovë–Klinë, përkatësisht në fshatin Mrasor.

Lajmin për Telegrafin e konfirmoi komandanti i trafikut për rajonin e Gjakovës, Albin Sahatqija.

Sipas tij, dy viktimat janë dërguar në spitalin rajonal të Pejës, ndërkaq policia po merret me rastin.

“Në aksident janë të përfshira tri automjete, ku si pasojë një person ka ndërruar jetë rreth moshë 80 vjeçare si dhe një person tjetër është lënduar lehtë. Aksidenti ka ndodhur si pasoj e tejkalimit në kthesë – vijë të plotë duke goditur kështu një automjet tjetër, me ç’rast dhe automjeti i tretë është përfshirë në këtë aksident”, ka thënë Sahatqija.