Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve komunal të Prizrenit për keqpërdorim të detyrës

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër Z.A., në cilësinë e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, dhe E.S., në cilësinë e Drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ky institucion ka njoftuar se sipas aktakuzës, Z.A., në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015 në Prizren, në cilësinë e Ushtruesit të Detyrës si Drejtor në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare duke keqpërdorë pasurinë publike, me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për persona tjerë juridik: TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj. Në atë mënyrë që, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, lidh kontrata për emitimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Financave të Komunës së Prizrenit, me TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, ashtu që për tri televizionet arrinë shumën prej 11.800 euro në vit.

Ndërsa E.S., në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2016 në Prizren, në cilësinë e Drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij zyrtare duke keqpërdorë pasurinë publike me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për persona tjerë juridik: TV Opinion, TV Besa dhe TV Prizreni, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj në atë mënyrë që pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, në atë mënyrë që pa ndonjë procedurë të tenderimit lidh kontrata për emitimin e spoteve reklamuese lidhur me sensibilizimin e opinionin publik rreth pagesave të tatimit në pronë në Komunën e Prizrenit. I njejti lidh kontratë me TV Opinion, TV Besa dhe me TV Prizreni, ashtu që për tri televizonet arrinë shumën prej 11.800 euro në vit.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit Z.A., dhe E.S., kanë përmbushur elementet e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprën penale e cilat i’u vihet në barrë.