Aktivistët në bordin e anijes Madleen, e cila është pjesë e Flotiles së Lirisë që po përpiqet të dërgojë ndihma për Gazën, kanë deklaruar se presin ndërhyrje nga Izraeli në çdo moment.
Thiago Avila, një aktivist brazilian në bord, ka publikuar një video në rrjetet sociale ku thotë se pajisjet e komunikimit dhe gjurmimit janë ndërprerë, ndoshta qëllimisht.
Në një postim në platformën X, aktivistët thanë se presin “ndërprerje dhe sulm nga Izraeli në çdo çast”, duke kërkuar mbrojtje nga shtetet përkatëse të personave që ndodhen në anije.
“Nuk kemi frikë prej tyre,” tha aktivistja gjermane për të drejtat e njeriut, Yasemin Acar. “Mesazhet që na kanë dërguar – që të mos afrohemi – nuk na bëjnë të tërhiqemi.”
Në bord ndodhen shtetas nga Gjermania, Franca, Brazili, Turqia, Suedia, Spanja dhe Holanda.
Eurodeputetja Rima Hassan shprehu shqetësim për mungesën e reagimit zyrtar nga këto shtete.
“Asnjë shtet nuk ka reaguar. Mesazhi që po jepet është se Izraeli po lejohet të veprojë pa ndëshkim dhe pa garanci për sigurinë tonë,” u shpreh ajo.




