Al Jazeera pretendon se ish-oficerë të lartë të regjimit të rrëzuar të Asadit kanë planifikuar operacione ushtarake kundër qeverisë siriane, duke vendosur kontakte me një person që ata e mendonin se ishte oficer izraelit, transmeton Anadolu.
Sipas informacioneve të përfshira në dokumentarin me titull “El Mutahari (Hulumtuesi)”, Al Jazeera ka siguruar dokumente që u përkasin ish-oficerëve të lartë të regjimit të Asadit si dhe 74 orë audio-regjistrime.
Pretendohet se këto regjistrime zbulojnë plane për kryerjen e operacioneve ushtarake kundër qeverisë siriane. Në hulumtim thuhet se janë gjetur 74 orë audio-regjistrime dhe mbi 600 dokumente lidhur me aktivitetet e mbetjeve të regjimit të Asadit.
Sipas pretendimeve, këto regjistrime dhe dokumente janë siguruar pasi një person që është prezantuar si oficer i Mossad-it ka hakuar telefonat e një grupi oficerësh të lidhur me regjimin e Asadit.
Në regjistrimet thuhet se disa ish-figura drejtuese brenda regjimit po përpiqen të riorganizohen, veçanërisht duke tentuar të nisin një lëvizje të armatosur në rajonin bregdetar të Sirisë. Dokumentet nxjerrin në pah rolin e Suhayl al-Hasanit, i cili ka shërbyer si komandant i forcave speciale në regjimin e Asadit dhe ish-komandant i forcave “Tigër”, si dhe të ish-gjeneral brigade Gayyas Delle në këtë proces.
Sipas regjistrimeve, një nga mbështetësit kryesorë të nismave të Suhayl al-Hasanit është biznesmeni dhe kushëriri i Bashar al-Asadit, Rami Makhlouf. Në regjistrimet që Al Jazeera ka siguruar thuhet se Suhayl al-Hasani ka tentuar të sigurojë mbështetje për lëvizjen e tij në Siri duke vendosur kontakte me një person që ai e mendonte se ishte oficer izraelit.
Në të njëjtat regjistrime pretendohet se Suhayl al-Hasani ka përdorur shprehje lavdëruese lidhur me operacionet e Izraelit ndaj Gazës. Në dokumentar po ashtu pretendohet se pas rrëzimit të regjimit të Asadit, disa elementë të vjetër ushtarakë kanë hyrë në kërkim të riorganizimit dhe synojnë të përfitojnë nga mjedisi i brishtë i sigurisë në vend.






