Al-Kaila: Palestina po përballet me mungesë të barnave si pasojë e imponimeve izraelite

Duke folur në një takim në Ramallah me përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe organizatave bamirëse, Mai al-Kaila tërhoqi vëmendjen mbi gjendjen aktuale të kujdesit shëndetësor në Palestinë.

“Sistemi i kujdesit shëndetësor në Palestinë po vuan, sikurse dhe fusha të tjera, për shkak të imponimeve të Izraelit dhe mungesës së mbështetjes e ndihmës së nevojshme ndërkombëtare”, theksoi ajo duke shtuar se mungesa e mbështetjes financiare ka ndikuar ndjeshëm në shërbimet e trajtimit (mjekësor/shëndetësor) dhe ka shkaktuar një mungesë të madhe barnash.

Me rritjen e racizmit pushtues izraelit – vijoi Al-Kaila – presioni po rritet çdo ditë e më shumë mbi lëvizjen, hyrje-daljen e personelit mjekësor dhe pacientëve mes qyteteve, nga Zona C, Gaza dhe Jerusalemi.

Administrata palestineze po përballet me vështirësi financiare për shkak të ndërprerjes së disa prej fondeve nga Izraeli, si dhe uljes së mbështetjes së huaj.

Sipas Marrëveshjes së Oslos II, territoret palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar u ndanë në zonat A, B dhe C.

Zona A përfaqëson 18% të Bregut Perëndimor dhe kontrollohet nga Palestina si në aspektin administrativ ashtu edhe të sigurisë.

Zona B përfaqëson 21% të Bregut Perëndimor, por këtu Palestina kontrollon vetëm administratën civile, ndërsa siguria iu dorëzua Izraelit.

Zona C përbën 61% të territoreve të Bregut Perëndimor dhe kontrollohet nga Izraeli si në aspektin administrativ ashtu edhe të sigurisë, gjë që kërkon miratimin e autoriteteve izraelite për çdo projekt apo masë palestineze në të. /trt