Albin Kurti, Glauk Konjufca e Hajrullah Çeku bëjnë homazhe për Rasim Thaçin – Cimën

Para Teatrit Kombëtar të Kosovës po bëhen homazhe në nderim të aktorit të njohur të humorit, Rasim Thaçi – Cima.

Familja e humoristit të ndjerë, janë rreshtuara para TKK-së, ku kanë mirëpritur për homazhe qytetarë të shumtë, fansa të humorit të të ndjerit.

Për të bërë homazhe u paraqitën edhe krerët e lartë të shtetit.

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe u ul për t’i shkruar disa vargje të ndjerit, në librin e dedikimeve të vendosur para portretit dhe kurorave me lule.

Albin Kurti bën homazhe para TKK-së për të ndjerin, Rasim Thaçi

Të njëjtën gjë e ka bërë edhe kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.

Kurti dhe Konjufca në një deklarim të shkurtër përpara mediave cituan të arriturat e aktorit të ndjerë, duke çmuar lartë kontributin e tij të dhënë sjelljen e të qeshurave në çdo familje përmes humorit të tij.

“Si fëmijë jemi rritur me Cimën dhe vetëm kur u rritëm dhe nuk ishim më fëmijë e morëm vesh se quhej Rasim Thaçi. Gëzimin dhe humorin e tij e shtonte kudo e tërë kohën duke e ndarë me të tjerët. Ndërkaq neve tani na duhet që ta zvogëlojmë dhimbjen dhe pikëllimin për të duke e ndarë me njëri-tjetrin. Rasim Thaci-Cima mund të ketë qenë ndonjëherë i pakënaqur, mund të ketë qenë ndonjëherë edhe i palumtur, por ka qenë gjithmonë i gëzuar dhe gëzimi i tij ka qenë guxim për të e për të gjithë ne kur e takonim atë, në ekranet televizive apo në rrugët e kryeqytetit. Andaj për shkak të kësaj mënyre të jetesës së tij përplot gëzim, vdekja e tij përveçse e parakohshme na ngjan edhe e pabesueshme”, tha Kurti.

Varrimi i artistit që humbi jetën nga Covid-19, do të bëhet nga rrethi i tij i ngushtë familjar në fshatin e lindjen – në Vukovc, prej orës 13:00.