Në qytetin e lashtë të Mekës, ku tregtarët vinin nga vende të largëta për të shitur mallrat e tyre, ndodhi një histori shumë interesante.
Një burrë i mirë erdhi në Mekë për të bërë tregti. Ai ia shiti mallin e tij një njeriu të pasur me emrin El As ibn Uail. Ky njeri i pasur i premtoi se do t’ia jepte paratë më vonë, por a e mbajti fjalën? Jo! Ai nuk ia dha paratë fare.
I gjori tregtar filloi të kërkonte ndihmë. Shkoi te disa njerëz të njohur në Mekë, por askush nuk pranoi ta ndihmonte. Askush nuk donte të ngatërrohej me El Asin, një njeri të pasur e të fuqishëm. Atëherë, burri u ngjit në një kodër dhe filloi të thërrasë me zë të lartë:
“O banorë të Mekës! Kush do të më ndihmojë të marr hakun tim?”
Thirrja e tij nuk shkoi kot. Atë e dëgjoi Zubejri, xhaxhai i Profetit Muhamed (a.s). Zubejri u mërzit shumë që një njeri i varfër po trajtohej padrejtësisht, prandaj mblodhi disa prej njerëzve më fisnikë të Mekës në shtëpinë e një njeriu të ndershëm që quhej Abdullah ibn Xhud’an.
Ata filluan të bisedojnë gjatë. Pas shumë fjalësh, të gjithë ranë dakord për diçka të bukur:
“Duhet të jemi të bashkuar për drejtësi! Askush nuk duhet të bëjë padrejtësi, dhe ne duhet ta ndihmojmë çdo njeri që i bëhet padrejtësi.”
Ata madje vendosën që një pjesë të pasurisë ta jepnin për të varfrit, që në Mekë të mos mbetej asnjë i uritur.
Kështu, ata lidhën një marrëveshje shumë të rëndësishme që u quajt “Aleanca e të ndershmëve”. Në këtë aleancë mori pjesë edhe Profeti Muhamed (a.s), i cili në atë kohë ishte ende i ri.
Kjo ngjarje i la atij një kujtim të paharrueshëm. Më vonë, kur u bë Profet, ai e përmendi me krenari dhe tha:
“Kam qenë dëshmitar në shtëpinë e Abdullah ibn Xhud’anit kur kurejshët lidhën një aleancë. Po të thirresha sot në një aleancë si ajo, do të shkoja me gjithë dëshirë, sepse aty u vendos që çdo njeri të marrë hakun e tij dhe askush të mos i bëjë padrejtësi tjetrit.”
Mësimi për ne: Bamirësia dhe ndershmëria janë vlera të mëdha. Të qëndrosh në anën e të drejtës, edhe kur të tjerët heshtin, është shenjë e guximit dhe e besimit të vërtetë.








