Alfa Romeo klasike të braktisura për vite në një sallon të mbyllur në Belgjikë

Në një lokacion të panjohur në Belgjikë ndodhet një sallon i braktisur i Alfa Romeos, i cili që prej vitesh qëndron i paprekur. Që kur pronari i sallonit vdiq në mënyrë tragjike, dyert kanë mbetur të mbyllur dhe brenda janë të “bllokuar” shumë vetura klasike.

Më shumë se dhjetë automjete ndodhen brenda dhe rreth dritareve të ekspozitës, të mbuluara nga shtresa pluhuri dhe papastërtie.

Pamjen e këtyre “kapsulave kohore” e zbulon YouTuberi The Bearded Explorer, i cili ka realizuar një shëtitje nëpër sallon dhe ka ndarë historinë me publikun.

Brenda dhe jashtë ndërtesës mund të shihen modele të ndryshme Alfa Romeo në gjendje të ndryshme ruajtjeje.

Nga më tërheqësit në ambientin e jashtëm është padyshim Alfa Romeo 166 me motorin e njohur Busso V6 3.0 litra, e cila tani po shkatërrohet nga kushtet atmosferike. Ndërsa në brendësi të sallonit qëndron një Alfa Romeo 156 GTA blu me mekanikë po aq mbresëlënëse.

Në incizim shfaqen edhe modele klasike si Giulia, Alfetta, 75, disa nga modelet 33 duke përfshirë një që është përgatitur për gara. Njohësit më të mirë do të njohin edhe modelet 155 dhe 145, si dhe modelet më të reja 156, 147, GT dhe 159 Sportwagon. Gjithashtu, aty janë edhe makina të prodhuesve të tjerë, si Smart Forfour, Abarth Punto dhe dy MG TF roadster.

Me gjithë vitet e neglizhencës, është befasuese të shihet se disa vetura duken mirë të ruajtura – brendësia e tyre është e pastër dhe gomat janë të fryra, që sugjeron se dikush herë pas here kujdeset për hapësirën. Kjo shihet veçanërisht në pjesën e servisimit, e cila është më mirë e organizuar se sa do të pritej në një objekt të braktisur.

Edhe pse gjendja e automjeteve nuk është e njohur, nuk ka dyshim se të gjitha këto vetura do të shiteshin shumë mirë në ankand.