Algjeria ka nisur për herë të parë operacione të pjesshme pastrimi në një nga zonat e Shkretëtira e Saharasë ku Franca kreu testime bërthamore gjatë periudhës koloniale në vitet 1960.
Sipas agjencisë shtetërore algjeriane të lajmeve, punimet filluan me rastin e 66-vjetorit të testimeve bërthamore franceze, të cilat ndotën zona të gjera dhe shkaktuan probleme afatgjata shëndetësore për popullsinë lokale. Raportohet se Franca zhvilloi të paktën 17 teste bërthamore në Saharën algjeriane mes viteve 1960 dhe 1966.
Autoritetet algjeriane i konsiderojnë këto teste si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera ndaj popullit algjerian gjatë kolonizimit francez.
Operacionet e pastrimit po kryhen me burime kombëtare, kryesisht në zonën “Taourirt Tan Afella – In Ekker”, në provincën Tamanrasset. Ky hap përshkruhet si delontaminimi i parë i pjesshëm në vendet e testimeve bërthamore franceze, të njohura si “Peril”.
Nisja e punimeve u bë publike përmes një dokumentari të Ministrisë së Mbrojtjes së Algjerisë, ku thuhet se zona e In Ekker ka përjetuar një shpërthim nëntokësor me fuqi rreth 150 mijë tonë TNT, ndërsa rrjedhjet e gazrave radioaktivë kanë dëmtuar rëndë ekosistemin.
Sipas dokumentarit, rajoni mbetet i ndotur nga materiale radioaktive si ceziumi-137 dhe plutoniumi. Procesi i pastrimit u nis pas vlerësimeve të detajuara shëndetësore dhe mjedisore nga ekspertë algjerianë. Në vend është ngritur një kamp i posaçëm pastrimi, i cili synon të shërbejë si model për rehabilitimin e zonave të tjera.
Pajisje speciale janë dërguar për mbledhjen dhe ruajtjen e mbetjeve bërthamore në kontejnerë betoni. Autoritetet thonë se mungesa e hartave dhe arkivave teknike nga pala franceze e ka vështirësuar identifikimin e zonave të ndotura.
Algjeria përkujton çdo 13 shkurt testin e parë bërthamor francez të vitit 1960 në zonën e Reggane, në provincën Adrar. Testi, i koduar “Gerboise Bleue”, thuhet se ishte rreth pesë herë më i fuqishëm se bomba atomike e hedhur në Hiroshima. /mesazhi








