Alternativa e Kusarit dhe Dedës i bashkohet LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka nënshkruar koalicion parazgjedhor me subjektin politik Alternativa dhe Lëvizjen për Drejtësi.

Mimoza Kusari Lila nga Alternativa ka thënë se si subjekti më i ri gjatë shqyrtimit të mundësive kanë vendosur që për shkak të pajtueshmërisë në programin për zhvillim të hyjnë bashkë fuqishëm, raporton Ekonomia Oline.

“Mund të ju them se kjo marrëveshje është e bazuar në parimet udhëheqëse. Ne ndjehemi të lumtur që kemi arritur që ato pika programore kanë arritur të hyjnë me dakordime me Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka thënë ajo.

Kreu i LDKsë, Isa Mustafa ka thënë se kjo marrëveshje ngërthen në vete orientimet e tyre të përbashkëta, sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik, të sundimit të ligjit, që siç tha ai, “janë prioritetet tona në këtë fazë dhe në fazat e ardhshme”.

“ Jam i gëzuar që sot edhe Avdullah Hoti do të jetë pjesë e këtyre marrëveshjeve që ne po i bëjmë në krye të Qeverisë së ardhshme të Kosovës. Zotimi ynë është t’u dalim ballë sfidave me të cilat ballafaqohet qytetari ynë”, ka thënë ai.

I pyetur se a është pajtuar me Ilir Dedën pasi ai ka nënshkruar mocionin për rrëzimin e Qeverisë, Isa Mustafa ka thënë se ka pasur edhe të partisë së tij që e kanë nënshkruar mocionin.

“Ndoshta e ka nënshkruar, pasi që ka pasur dëshirë më na bashkuar”, ka thënë ai.