Altun: Netanyahu është personi i fundit që mund të flasë për gjenocid

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është personi i fundit që mund të flasë për gjenocid dhe historia ka për ta gjykuar atë si kriminel lufte, tha sot shefi i zyrës së Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun, transmeton Anadolu.

“Kryeministri izraelit Netanyahu është personi i fundit që mund të thotë diçka për gjenocidin. Ai është bërë i aftë për ta bërë botën të besojë se krimet e luftës që ai kryen kundër civilëve janë në vetëmbrojtje. Edhe nëse bota nuk arrin ta ndalojë, historia do ta gjykojë si kriminel lufte”, tha Altun në një deklaratë në “X”.

Ai tha po ashtu se Netanyahu është i fundit që mund të flasë për luftën e Turqisë kundër terrorizmit.

“Ne kemi luftuar kundër organizatës terroriste PKK dhe shtrirjeve të saj për më shumë se 40 vjet. Qytetarët tanë kurdë kanë luftuar personalisht kundër PKK-së, e cila masakron civilë dhe fëmijë pa dallim, njësoj si Netanyahu”, theksoi ai.

Altun ka shkruar se Netanyahu nuk mund të flasë për moral dhe nuk mund ta mësojë askënd se si duhet luftuar terrori, pasi, sipas tij, ai nuk ka përvojë në këtë fushë.

“Ajo që ai ka bërë gjatë dyzet viteve të fundit është dëbimi i palestinezëve nga toka e tyre. Tani Izraeli e ka çuar këtë në një nivel të ri duke përdorur ushtrinë e tij për të vrarë civilë në shtëpitë e tyre, spitale dhe kampet e refugjatëve”, tha Altun.

Siç ka thënë ai, Netanyahu nuk mund ta mashtrojë askënd duke sulmuar presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan për ta zhvendosur vëmendjen nga krimet e luftës që po i kryen.

Sipas tij, përpjekjet e dëshpëruara të Netanyahut për të shpëtuar karrierën e tij politike duke vrarë civilë dhe duke zgjeruar shtrirjen e luftës janë të destinuara të dështojnë.

“Presidenti ynë Erdoğan ka bërë thirrje dhe nuk do të heqë dorë nga lufta për drejtësi sado që Netanyahu të gënjejë botën”, ka shtuar Altun, duke përsëritur thirrjen drejtuar komunitetit ndërkombëtar që t’u bashkohet përpjekjeve të Turqisë për armëpushim të menjëhershëm dhe të bashkohet rreth negociatave për arritjen e një paqeje të përhershme.

“Pavarësisht sulmeve politike dhe shpifjeve kundër Turqisë, ne po bëjmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë pjesën tonë. Do të vazhdojmë ta themi të vërtetën”, ka deklaruar shefi i Komunikimeve i Presidencës turke.

Të paktën 21.110 palestinezë janë vrarë dhe 55.243 të tjerë janë plagosur në sulmet intensive izraelite në Rripin e Gazës që nga operacioni ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Rreth 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.

Sulmet izraelite e kanë lënë Gazën në gërmadha, me 60 për qind të infrastrukturës të dëmtuar ose shkatërruar dhe gati 2 milionë njerëz të zhvendosur, të cilët përballen me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.