Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Amaneti: Qosja, ikje nga kjo botë pa njoftuar askënd

Amaneti: Qosja, ikje nga kjo botë pa njoftuar askënd

Një lajmi mortor i shpërndarë nga familja pas varrimit

Paska shkuar në botën tjetër akademik Rexhep Qosja, pa e ditur fare opinion shqiptar. Kështu, shënohet një ndër rastet më të pazakonta të vdekjes së një figure të njohur, ku lajmërimi mortor jepet pasi është mbuluar me dhe′.

Është familja ajo që njofton se, “sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja.

Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.

Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja.

Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.

Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi!”.

E habitshme kjo formë e zgjedhur nga akademiku kosovar për ta patur në këtë formë “lamtumirën” e tij, pasi nuk njihej për natyrë kontraverse; e kundërta, kishte prirje për të qenë racional.

I lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj (Mal i Zi), Qosja u formua si një nga intelektualët më të spikatur në Shqipëri, duke ndërtuar një karrierë të gjatë në fushën e studimeve letrare dhe publicistikës. Gjithashtu pati dhe një aktivizim të shkurtër politik, por brenda stofit intelektual, duke marrë pjesë në delegacionin kosovar të Rambujesë.

Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare, Rexhep Qosja ka qenë autor i dhjetëra veprave, përfshirë romane, ese dhe studime shkencore, duke lënë gjurmë të thella në kulturën shqiptare. Njihej për qëndrimet e tij të forta publike dhe angazhimin në debatet shoqërore e politike.

Krijimtaria letrare e Rexhep Qosjes është një nga kolonat më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqipe, duke u shtrirë në disa gjini: që nga romani dhe drama, e deri te kritika letrare dhe historia e letërsisë. Ai njihet si një shkrimtar që ndërthur intelektualizmin e thellë me ndjeshmërinë kombëtare.

Rexhep Qosja ka qenë një nga delegatët kryesorë nga Kosova në Kongresin e Drejtshrimit të vitit 1972. Ai ishte një mbështetës i fuqishëm i unifikimit të gjuhës, duke argumentuar se Kosova duhej të adoptonte standardin e Tiranës për të mbajtur gjallë lidhjen kombëtare dhe kulturore me Shqipërinë.

I ndjeri ishte 90 vjeç. /tesheshi