Amerika intesifikon lëvizjet për dialogun, Kosnett jep detaje për bisedën e mbrëmshme me Kurtin dhe Palmer

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett ka njoftuar se mbrëmë bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti kanë zhvilluar një bisedë me Përfaqësuesin Special të Departametnti të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Në këtë bisedë thuhet të jetë diskutuar gjerësisht çështja e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosnett deklaroi se këto bisedime kanë qenë produktive, teksa shton se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbetet qenësor për suksesin në ekonomi dhe në procesin e integrimeve evropiane, transmeton lajmi.net.

“Mbrëmë patëm një diskutim të gjerë, dhe produktiv me kryeministrin Albin Kurti dhe Matt Palmer të Departamentit të Shtetit.Procesi i dialogut i udhëhequr nga BE mbetet thelbësor për suksesin ekonomik të Kosovës dhe integrimin Euro-Atlantik”, shkroi Kosnett.

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi mbrëmë është diskutuar edhe në mes presidentes së vendit, Vjosa Osmani me zyrtarin amerikan, Philip Reeker.

Reeker ka ritheksuar se palët duhet të tregohen konstruktive në dialogun që duhet të përfundojë me njohje reciproke në qendër të marrëveshjes.

Së fundi edhe Departamenti i Shtetit Amerikan ka lëshuar sot një komunikatë për media, në të cilën flitet për dialogun Kosovë-Serbi si dhe përkrahjen në këtë proces duke këmbëngulur që duhet të finalizohet me njohje reciproke.

“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin punën drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të detyrueshme të normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, që hedh bazat e një bashkëpunimi dhe prosperiteti të qëndrueshëm. Ne mbështesim Dialogun e lehtësuar nga BE dhe inkurajojmë palët që të angazhohen përsëri në këtë proces me një ndjenjë urgjence për të adresuar çështje teknike dhe politike. Ne do të punojmë me Serbinë dhe Kosovën për të zbatuar angazhimet e tyre në Uashington në mbështetje të qëllimit të normalizimit të plotë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan.