Amerika i kthen shpinën Ramush Haradinajt, i refuzon vizën

Raportet e tendosura me Ambasadën Amerikan që lidhen me tentimin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, si dhe këmbëngulja në dështimin e marrëveshjes së demarkacionit, duket se kryeministrit Ramush Haradinaj po i hakmerren nga Uashingtoni zyrtar.

Mësohet se kryeministrit Haradinaj dhe bashkëshortes së tij i është refuzuar viza amerikane. Haradinaj e ka marrë “negativ” kërkesën që në fillim të muajit shkurt të udhëtojë për në SHBA.

Kryeministri dhe bashkëshortja e tij do të merrnin pjesë në Mëngjesin e Lutjeve që çdo 4 shkurt mbahet në Uashington, megjithatë çuditërisht viza i është refuzuar.

Përveç pjesëmarrjes në Lutjet e Mëngjesit, Haradinaj do të vizitonte edhe shtetin amerikan të Iowa-s, me të cilin Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyeshme, sidomos në fushën e sigurisë.

Ftesat për Lutjet e Mëngjesit i bën Komiteti Pritës i Kongresit amerikan. Lutjet fillojnë në orën 7 e 30 të mëngjesit.

Vitin e kaluar, pikërisht në këtë kohë, bashkëshortja e Haradinajt, Anita, kishte bërë të ditur se kishin marrë vizat për SHBA, megjithatë kryeministrit aso kohe mbahej në Francë sipas një fletarresti të lëshuar nga Serbia.

Në Lutjet e Mëngjesit vitin e kaluar ka marrë pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Në këtë ceremoni, Veseli ishte takuar edhe me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.

Po ashtu, viteve të kaluara në këtë ceremoni kanë shkuar edhe deputetë dhe zyrtarë tjerë shtetërorë të Kosovës, duke mos iu refuzuar askujt viza.