Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, po shqyrtohet nga Lëvizja Vetëvendosje si kandidat i mundshëm për president të Kosovës.
Burime të Tëvë1 bëjnë të ditur se emri i tij po diskutohet brenda partisë së kryeministrit Albin Kurti, në prag të përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, i cili skadon nesër në mesnatë.
Andin Hoti, djali i veprimtarit dhe intelektualit të zhdukur Ukshin Hoti, së fundmi është emëruar ministër në Qeverinë Kurti 3. Më herët ai ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Sipas të njëjtave burime, LVV-ja i ka bërë ofertë Partia Demokratike e Kosovës që të mbështesë emrin e Andin Hotit për postin e presidentit.
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të mbajë mbledhje në orën 13:00, ku në fokus do të jetë çështja e zgjedhjes së presidentit.
Ditë më parë, Andin Hoti në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1 ka deklaruar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja për shkak të moszgjedhjes së presidentit, duke kërkuar reflektim nga partitë opozitare, përkatësisht nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës .
“Besoj se duhet të ketë një thirrje mendjes të spektrit politik që të tejkalojnë këtë problem të panevojshëm. Janë dy subjekte politike të mëdha që kanë ndikim në këtë pikë që duhet t’i thërrasin mendjes. Nuk besoj që ua fal populli nëse shkojmë në zgjedhje edhe një herë”, ka deklaruar Hoti në një intervistë për Tëvë1.







