Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Anija tregtare saudite dëmtohet në një sulm në Detin e Kuq, vazhdon...

Anija tregtare saudite dëmtohet në një sulm në Detin e Kuq, vazhdon udhëtimin

Një anije tregtare saudite pësoi dëmtime të lehta në trupin e saj gjatë një sulmi teksa lundronte nëpër Detin e Kuq, por vazhdoi udhëtimin pasi autoritetet konfirmuan se anija dhe ekuipazhi i saj ishin të sigurt, transmeton Anadolu.

Duke cituar një zëdhënës të Autoritetit të Përgjithshëm të Transportit të Arabisë Saudite, Agjencia Saudite e Shtypit (SPA) tha se anija në pronësi saudite NCC MASA u sulmua gjatë lundrimit në Detin e Kuq.

Zëdhënësi tha se anija pësoi vetëm dëmtime të lehta në trupin e saj dhe ishte në gjendje të vazhdonte drejt destinacionit pasi u konfirmua siguria e saj dhe e ekuipazhit.

Zyrtari e cilësoi vazhdimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe normave që mbrojnë transportin detar tregtar dhe ekuipazhet detare.

Nuk u dhanë menjëherë detaje të tjera, përfshirë se kush ishte përgjegjës për sulmin.