Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Katari rikthen plotësisht aktivitetet e lundrimit detar pas një pezullimi dyjavor

Katari rikthen plotësisht aktivitetet e lundrimit detar pas një pezullimi dyjavor

Katari do të rikthejë plotësisht aktivitetet e lundrimit detar për të gjitha llojet e anijeve duke filluar nga sot, duke i dhënë fund një pezullimi dyjavor të vendosur për shkak të tensioneve të shtuara të sigurisë në Gjirin Persik dhe në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.

Ministria e Transportit njoftoi vendimin përmes një deklarate të shkurtër të publikuar në rrjetin social amerikan X, duke u bërë thirrje të gjitha subjekteve dhe individëve që të respektojnë rregulloret dhe udhëzimet në fuqi për lundrimin detar, me qëllim garantimin e niveleve më të larta të sigurisë dhe mbrojtjes për të gjitha udhëtimet detare.

Ministria nuk dha detaje të mëtejshme lidhur me rregulloret dhe as nuk shpjegoi arsyen e rikthimit të plotë të trafikut detar.

Ministria pezulloi të gjitha aktivitetet e lundrimit detar më 12 korrik, në kushtet e tensioneve të vazhdueshme në rajon. Më herët, ajo kishte ndaluar trafikun detar më 29 qershor, para se ta rikthente pjesërisht më 5 korrik.

Gjatë përplasjes së fundit ushtarake mes SHBA-së dhe Iranit, disa kompani të transportit detar u kërkuan disa anijeve të qëndronin jashtë Ngushticës së Hormuzit për shkak të shqetësimeve të sigurisë që lidhen me përshkallëzimin në rajon.

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë përshkallëzuar gjatë javëve të fundit, me Washingtonin që ka kryer sulme ndaj Iranit, ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur duke goditur ato që i cilëson si objekte dhe pajisje ushtarake amerikane në vende të ndryshme të rajonit, përfshirë Bahreinin, Jordaninë dhe Kuvajtin.

Më 8 korrik, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi përfundimin e armëpushimit të arritur me Iranin në qershor, duke akuzuar Teheranin për shkeljen e marrëveshjes.

Njoftimi erdhi pas sulmeve ndaj tre cisternave në Ngushticën e Hormuzit dhe mosmarrëveshjeve të reja lidhur me rregullat e lundrimit në këtë rrugë ujore strategjike.

Washingtoni ka kërkuar kalim të pakufizuar nëpër Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Teherani këmbëngul që anijet të kalojnë përmes një kanali pranë vijës së tij bregdetare, në kuadër të një mekanizmi lundrimi të administruar nga Irani.

Dje, raportoi Axios duke cituar burime amerikane, presidenti Trump ka urdhëruar ushtrinë amerikane të mos ndërmarrë sulme të reja ndaj Iranit, duke i dhënë fund gati dy javëve të sulmeve të përditshme.