Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shqipëri, moti i keq shkakton probleme në disa zona

Shqipëri, moti i keq shkakton probleme në disa zona

Shqipëria është përfshirë në orët e fundit nga moti i keq me reshje shiu dhe erë të fortë, ku në disa zona ka shkaktuar edhe probleme, raporton Anadolu.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa rrugë të qytetit të Durrësit dhe probleme me qarkullimin e automjeteve.

Ndërkohë, raportohet se në Qarkun e Vlorës era e fortë ka shkaktuar kufizime në lundrimin detar.

Në disa akse rrugore të Qarkut të Kukësit është raportuar për rënie gurësh vërshime uji, duke vështirësuar qarkullimin.

Ndërkohë, në Qarkun e Shkodrës autoritet kanë bërë të ditur se përveç reshjeve të shiut, disa zona janë përfshirë edhe nga reshjet e dëborës.

Reshjet kanë përfshirë edhe Tiranën, ndërkohë nga autoritetet nuk është njoftuar për problematika të mëdha.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, sot dhe nesër priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Dibër, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër.

Në qarqet Shkodër, Kukës, Tiranë dhe Korçë priten reshje intensive, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje mesatare deri lokalisht intensive.