Apeli në Serbi konfirmon si legal termin fyes ndaj shqiptarëve

Gjykata e Apelit në Serbi ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paditësit, Këshilli Kombëtar Shqiptar, ndaj ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, për vërtetimin e qasjes diskriminuese dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka publikuar aktgjykimin duke thënë se edhe kjo gjykatë ka legalizuar termin fyes “Shiptari” dhe ka institucionalizuar gjuhën e urrejtjes. Ai megjithatë ka paralajmëruar se do të çojë rastin në Gjykatën Kushtetuese.

Mustafi ka thënë se është në betejë për drejtësi ndaj Vulinit që nga qershori i 2019-s. Ministrin e Brendshëm ai e ka quajtur sinonim të shqiptarofobisë.

Mustafi u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë ndaj Serbisë dhe ta parandalojnë gjuhën e urrejtjes. Sipas tij “lirimi i Ministrit Vullin nga akuzat e gjuhës së urrejtjes, intolerancës dhe diskriminimit, ‘legalizon’, diskriminimin, ksenofobinë dhe racizmin ndaj shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë e gjetkë”.

“Përtej padisë, përtej asaj çka përfaqëson z. Aleksandër Vullin e përtej diskursit antishqiptar aktual, e drejta është me të vërtetën dhe e vërteta është në të drejtën tonë. Ky proces shpërfaq më së miri drejtësinë e sotme në Serbi. Tregon për gjyqësorin në Serbi. Për brishtësinë dhe mungesën guximit për të pasur gjyqësor të pavarur dhe të pandikuar politikisht përballë një ministri”, ka shtuar ai.

Mustafi ka paralajmëruar se procesin do ta dërgojnë pas Kushtetueses edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.