Arban Abrashi: Prishtina tashmë ka kryetar të ri

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi ka reaguar pas publikimit të videove të cilat tregonin se si Vetëvendosje kishte organizuar transport për të votuar në Prishtinë.

Pas kësaj u publikuan edhe mesazhe që paraqitnin zyrtarë të lartë të VV-së pjesëmarrës në këtë çyshte.

E për këtë hetim po kërkon Abrashi, i cili këtë metodë po e vlerëson si ushtrim të ndikimit.

“Po shohim që ata që bën koalicione të hapura e të fshehta me oligarkë e biznismenë/politikanë vetëm që me çdo kusht të mbesin në pushtet, tash zbulohet edhe se kanë përdorë metoda kundërligjore vetëm e vetëm që ata të jenë në pushtet.Organizimi i transportit të qytetarëve përmes OJQ-ve për të votuar, ka synim ushtrimin e ndikimit mbi votën e tyre të lirë dhe deformon vullnetin e tyre popullor”, ka shkruar Abrashi në facebook.

“Do ta kërkojmë nga organet kompetente të hetojmë këtë rast deri në fund dhe pastaj do të vendosim sesi të veprojmë. Por ajo që po vërtetohet gjithnjë e më shumë është se Prishtina tashmë ka një kryetar të ri”, përfundon postimi i Abrashit në facebook.

Ndryshe rezultati në Prishtinë është shumë i ngushtë, ku fituesin do ta përcaktojnë votat me kusht dhe me postë.