Arbër Zeneli i pafat, këput përsëri ligamentet dhe pritet të mungojë shumë gjatë

Klubi francez, Reims ka konfirmuar me anë të faqeve zyrtare se sulmuesi i tyre dhe i Përfaqësueses së Kosovës, Arbër Zeneli ka pësuar një dëmtim të rëndë dhe duhet të operohet.

Ylli i Kosovës e nisi mirë duke shënuar gol në ndeshjen e parë para-sezonale të Reims ndaj Auxerre, por tashmë ka ardhur një lëndim shumë i hidhur për të.

Zeneli ka pësuar një lëndim të madh, pasi ka këputur ligamentet dhe kjo është zbuluar pas ekzaminimeve të bëra së fundmi me klubin francez.

“Një goditje për komunitetin tonë në Reims. Arbër Zeneli iu nënshtrua ekzaminimeve të cilat zbuluan një këputje të ligamenteve të kryqëzuara”.

“Ky lëndim kërkon një operacion, data e të cilit do të specifikohet pasi lojtari të ketë kryer ekzaminime shtesë”.

“E gjithë familja e Reims i jep gjithë mbështetjen e saj”, thuhet në njoftimin e klubit francez në faqen zyrtare.

Ndryshe, ylli i Kosovës e pati një lëndim të tillë edhe në vitin 2019, duke e lënë jashtë fushës për gati një vit.

Ky lëndim nuk dihet se sa do ta lë Zenelin jashtë fushave, por mendohet se kohëzgjatja do të jetë nëntë deri në 12 muaj.