“Armenia tërhiqet nga takimi me Azerbajxhanin për përgatitjen e marrëveshjes së paqes”

Zyrtarët armenë kanë refuzuar të marrin pjesë sot në takimin e planifikuar në Moskë për përgatitjen e marrëveshjes së paqes, njoftoi Ministria e Jashtme ruse, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një telefonatë, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov informoi “me keqardhje” homologun e tij azerbajxhanas Jeyhun Bayramov për vendimin e Armenisë, sipas deklaratës së publikuar në faqen e internetit të ministrisë.

“U diskutua situata në zonën e përgjegjësisë së kontingjentit paqeruajtës rus, e cila është përkeqësuar për shkak të mbylljes së korridorit të Laçinit dhe mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve për burimet natyrore në rajon”, thuhet në deklaratë.

Azerbajxhani ka bërë të ditur se organizatat joqeveritare azere kanë protestuar në korridorin Laçin kundër “shfrytëzimit të paligjshëm të burimeve natyrore” dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme nga Armenia, por ato nuk e kanë “mbyllur” apo bllokuar korridorin.

“Sergej Lavrov theksoi nevojën për respektim strikt të marrëveshjes trepalëshe për sigurimin e komunikimit të papenguar midis Karabakut dhe Armenisë përgjatë korridorit Laçin”, thuhet në deklaratën e ministrisë ruse.

Lavrov nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të “punës ritmike” të zbatimit të deklaratave trepalëshe të liderëve të Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë, të nënshkruara në 2020, 2021 dhe 2022.

Në një deklaratë të veçantë të enjten, kryeministri armen Nikol Pashinyan akuzoi misionin paqeruajtës rus në Karabak për dështim në përmbushjen e detyrave të tij.

Që nga 12 dhjetori, ekologët azerbajxhanas që përfaqësojnë organizatat joqeveritare kanë protestuar kundër shfrytëzimit të paligjshëm nga Armenia të burimeve natyrore në rajonin e Karabakut, ku paqeruajtësit rusë janë vendosur që nga konflikti i vjeshtës së vitit 2020 në rajon.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit dhe shtatë rajone ngjitur.

Në vjeshtën e vitit 2020, në luftimet 44 ditore, Azerbajxhani çliroi disa qytete, fshatra dhe vendbanime nga pushtimi armen. Marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar nga Rusia festohet si një fitore në Azerbajxhan.