Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Armëpushimi nuk pritet së shpejti, Witkoff kritikon ashpër përgjigjen e Hamasit

Armëpushimi nuk pritet së shpejti, Witkoff kritikon ashpër përgjigjen e Hamasit

Një deklaratë e Steve Witkoff ka ngritur pyetje serioze mbi drejtimin që do të marrë situata në Gaza, ndërsa një armëpushim duket gjithnjë e më pak i mundshëm në ditët në vijim.

Presidenti amerikan Donald Trump, të premten, sugjeroi se Hamas ishte pranë pranimit të propozimeve të paraqitura, duke thënë se ata po kërkonin një mënyrë për të dalë nga “kjo rrëmujë”, siç e quajti ai.

Megjithatë, Trump ka paralajmëruar më parë se nëse nuk do të kishte marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve, atëherë do të kishte pasoja të rënda.

Vizita e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë dhe mbështetja që mori nga Trump ka nxitur kritika, pasi shumë e shohin si një dritë jeshile për Izraelin që të veprojë lirshëm në Gaza.

Një nga pengesat kryesore në bisedime duket të ketë qenë termi “armëpushim i përhershëm”, që Hamas kërkon të përfshihet në çdo marrëveshje, ndërsa Izraeli nuk e pranon këtë lehtësisht.

Shtetet e Bashkuara janë kritikuar ndërkombëtarisht për mbështetjen e hapur ndaj Izraelit, duke vënë në dyshim rolin e tyre si ndërmjetës të paanshëm.

Duke marrë parasysh që SHBA janë të gatshme të braktisin bisedimet me Rusinë apo marrëveshjet me Iranin, lind pyetja nëse janë gati të tërhiqen edhe nga ky proces.

Trump dëshiron të shihet si një paqebërës – kjo mund të jetë një fije shprese. Por për momentin, është e qartë se nuk ka bisedime në horizont dhe një armëpushim nuk pritet së shpejti. /mesazhi