“Me arrestimin e ‘gylenistëve’ në Kosovë, bllokohet rruga e Gylenit në Ballkan

Arrestimi dhe deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova, ka bërë bujë edhe në mediat turke. Madje personat që u deportuan nga Kosova, disa media atje po i cilësojnë si “truri i organizatës së Gylenit në Ballkan”.

Në artikuj të veçantë mediat turke kanë shkruar për veprat që akuzohen gjashtë shtetasit turq të arrestuar në Kosovë.

Star.Tr është një medie turke e cila raporton se me arrestimin e gjashtë “gylenistëve” në Kosovë, rruga e Fetullah Gylenit në Ballkan u ndërpre.

“Intelegjenca turke e cila organizoi një operacion me intelegjencën e Kosovën, sollën në Turqi gjashtë anëtarë të organizatës terroriste të Gylenit”, shkruan kjo medie.

Të deportuarit, sipas mediave turke, kanë qenë përgjegjësit kryesorë, që sipas tyre duke u paraqitur si mësues, kanë shtrirë ndikimin në vendet Ballkanike dhe ato të Evropës.

“Të dyshuarit, duke u përpejkur të shpëtojnë nga Turqia organizojnë kalimin në vendet evropiane dhe në SHBA duke u paraqitur si mësues”, thuhet tutje në raport.

Mediat  gjithashtu i kanë dhënë përmasa të mëdha, “kërcënimit” që presidenti turk i bëri Haradinajt.

Disa nga to kanë vendosur në ballina, fjalët e Erdoganit se “Haradinaj do të jap përgjegjësi”.

Gjithë ky reagim erdhi pas shkarkimit të ministrit të brendshëm dhe drejtorit të AKI-së.

Këto dy institucione u cilësuan si fajtore për arrestimin e gjashtë shtetasve turq.