Arrestohen 7 zyrtarë të Komunës së Pejës për keqpërdorim të detyrës

Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinioni publik se, pas hetimeve nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare për ndërtimet e kundërligjshme, sot me urdhër të prokurorit të shtetit, janë ndaluar shtatë (7) persona të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Pejë në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësitin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, gjatë ditës se sotme fillimisht ka shoqëruar në stacionet policore përkatëse shtatë (7) zyrtarët e dyshuar, të cilët pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në ndalim 48 orësh.

Të ndaluarit e sotëm janë:

A.K – Drejtor i Drejtorisë për Çështje Pronësore Juridike në Komunën e Pejë.

M.N- Drejtor i Drejtorisë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Pejës

M.B – Inspektor i ndërtimit në Drejtorinë e Inspektoratit në Komunën e Pejës

A.LL Zyrtarë ligjor në Drejtorinë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Pejës

O.K Ish punëtorë i Drejtorisë për Çështje Pronësore Juridike (i angazhuar ende në punë) në Komunën e Pejës

P.T dhe P.B (Gjeodet të licencuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës)

Prokurori i çështjes, brenda afatit ligjor do bëjë vlerësimin për kërkesat eventuale për sigurimin e prezencës se të pandehurve në procedurë penale.