Ballina Lajmet Kosovë Arrestohen tre të dyshuar për falsifikim parash dhe posedim droge, ndaj njërit...

Arrestohen tre të dyshuar për falsifikim parash dhe posedim droge, ndaj njërit kishte urdhërarrest ndërkombëtar

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se në një pompë derivatesh është raportuar një rast i dyshuar i përdorimit të kartëmonedhës së falsifikuar në vlerë prej 20 euro.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 06.02.2026 rreth orës 19:30, në fshatin Prelez i Jerlive, në Ferizaj. Njësitë policore kanë identifikuar tre persona të dyshuar: Sh. V. (27 vjeç), shtetas i Kosovës, si dhe dy shtetas palestinezë, N. Z. (30 vjeç) dhe M. O. (28 vjeç).

Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar kartëmonedhën e dyshuar të falsifikuar, një sasi të vogël substance të dyshuar narkotike, si dhe dy mulli.

Dy shtetasit e huaj janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i dyshuari Sh. V. është liruar pas intervistimit.

Po ashtu, gjatë hetimeve është identifikuar banesa me qira e të dyshuarve në Ferizaj, ku janë gjetur dhe sekuestruar dokumente identifikimi të shteteve të ndryshme.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari M. O. rezulton të ketë qenë në kërkim me urdhërarrest ndërkombëtar, ndërsa ishte shoqëruar nga një e mitur kosovare, A. T. (17 vjeçe). Gjatë kontrollit në banesën e saj në Kaçanik janë gjetur dhe sekuestruar 39 kartëmonedha prej 50 dollarësh amerikanë, të dyshuara si të falsifikuara, një sasi e vogël narkotikësh dhe dokumente të huaja. Substanca narkotike dyshohet se i përkiste E. D. (19 vjeçe).

“Të gjitha veprimet janë kryer në koordinim me Njësitin e Hetimeve të Kufirit dhe Prokurorinë Themelore në Ferizaj. E mitura është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit, ndërsa ajo dhe E. D. janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.